29 Shkurt, 2020 - 6:00 pm
Shkalla e lartë e emigrimit të qytetarëve jashtë vendit dhe rënia e natalitetit, prezantohen si faktorë që po ndikojnë në tkurrjen e numrit të popullsisë në Kosovë. Të dhënat zyrtarë ndër vite, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, flasin për rënien e konsiderueshme të numrit të lindjeve dhe për numrin në rritje të qytetarëve që kanë ikur apo kanë lëshuar Kosovën.
Në vitin 2012, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të publikuara në raportet e titulluara “Vlerësimi i Popullsisë”, ka qenë 1,820,631 banorë, ndërsa në vitin 2018, numri i banorëve rezidentë ishte 1,795,666.
Popullsia rezidente e Kosovës, për periudhën 01 janar–31 dhjetor 2018 u zvogëlua për 2,840 banorë apo -0.16 për qind.
Ndërkaq, sipas një raporti mbi migrimin të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, thuhet se për periudhën 2016-2018, Kosova ka humbur rreth 2 për qind të popullsisë së vendit.
Kosova në regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011 kishte regjistruar 1,739,825 banorë, por në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata kishin refuzuar procesin.
Ndërsa, në raportet e vlerësimit të popullsisë, në numrin e banorëve janë të përfshirë edhe këto komuna.
Sa i përket numrit të lindjeve të gjalla të ndodhura brenda territorit të Kosovës në vitin 2014 ishin 25,929, derisa në vitin 2018, ishte 22,761 lindje. Ndërsa, numri i vdekjeve në vitin 2018 në Kosovë ishte rreth 10 mijë.
Në vitin 2019, zyrtarë shëndetësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bëjnë të ditur se numri i lindjeve ka shënuar rënie.
“Ka një rënie të numrit të lindjeve në përgjithësi në Klinikën Gjinekologjike. Në vitin 2019 kanë qenë 9,622 foshnje, që krahasuar me vitin paraprak (2018) ka një rënie për 600 foshnjave më pak”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Xhevdet Gojnovci drejtor në Klinikën Neonatologjike në QKUK.
Emigrimi dhe rënia e fuqisë punëtore
Në dekadën e fundit, më shumë se 220 mijë qytetarë të Kosovës kanë lëshuar vendin, sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Numri më i madh i qytetarëve, të cilët kanë emigruar nga Kosova gjatë periudhës 2010-2018, u shënua në vitin 2015, kur nga Kosova u larguan mbi 75 mijë qytetarë. Ndërsa në vitin 2018, mbi 28 mijë persona vendosën të ikin nga vendi.
Të dhënat për vitin 2019 ende nuk janë publikuar për migrimin dhe as për lindjet dhe vdekjet.
Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), thotë për Radion Evropa e Lirë se një trend më i madh emigrimit të qytetarëve të Kosovës do të jetë pas politikave të reja të emigracionit në Gjermani.
Ky trend në rritje, sipas tij, do të ketë pasja të mëdha për Kosovën. Përveç zvogëlimit të popullsisë, Xhambazi thotë se do të zvogëlohet edhe fuqia punëtore.
“Nëse Qeveria e Kosovës nuk arrin në mënyrë serioze ta kthejë mbrapa këtë trend negativ të emigracionit, mendoj që brenda 10 –15 vjetësh do të kemi një problem serioz demografik dhe do të kemi një numër shumë të vogël të fuqisë punëtore”, thotë ai.
Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto shifra tregojnë se popullsia e Kosovës po tkurret ndër vite. Duke pasur parasysh këtë gjendje, thotë Blaku, Kosova duhet ta trajtojë problemin e migracionit dhe rënien e natalitetit.
“Ikja, braktisja së bashku me rënien e natalitetit, janë dy ngjarje, zhvillime dhe përjetimet më të rënda të shoqërisë shqiptare meqë bëhet fjalë për tkurrjen e popullsisë, kapitalit më të shtrenjtë kombëtar”, thotë ai.
Instituti GAP, në një hulumtim të titulluar “Emigrimi i fuqisë punëtore të Kosovës në Gjermani”, sheh një potencial edhe më të madh të emigrimit të qytetarëve të Kosovës pas hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të emigrimit në Gjermani në mars 2020.
“Të dhënat zyrtare tregojnë se shtetasit e Kosovës prijnë për nga numri i aplikimeve dhe pajisjes me viza pune në krahasim me vendet tjera të rajonit. Gjatë viteve 2016-2018, nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, janë shqyrtuar për aprovim gjithsej 204,638 kontrata pune, prej të cilave rreth 80 për qind janë miratuar. Por, vetëm 40 për qind e tyre janë pajisur me viza pune, ku 24 për qind tyre, apo 15,824 kanë qenë për kosovarët”, thuhet në këtë raport.
Sektorët dhe profesionet në të cilat shtetasit e Kosovës kanë arritur të sigurojnë viza pune, prijnë ndërtimtaria, hoteleria dhe shërbimet e kujdesit, ndërsa profesionet me më së paku aplikime të suksesshme janë sektori i financave, i sigurimeve dhe i edukimit.
Ika e të rinjve nga Kosova pati ngritur shqetësime edhe nga bizneset. Ata në vazhdimësi kanë deklaruar se nuk po arrijnë të gjejnë punëtorë edhe përkundër shkallës së lartë të papunësisë në vend, e cila arrin rreth 30 për qind.
Regjistrimi i popullsisë, më 2021
Regjistrimi i ardhshëm i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, pritet të bëhet në vitin 2021.
Demografi Blaku thotë se numri i banorëve të Kosovës do të jetë më i vogël, në krahasim me regjistrimin e popullsisë të bërë në vitin 2011.
“Në bazë të projeksioneve demografike dhe në bazë të qarkut migrator aktual që është në manifestim, do të dalim përsëri një numër më i vogël. Por, duhet të insistohet që në formularët për regjistrimin e popullsisë të hyjë edhe rubrika për kontingjentin e popullsisë në migracion, respektivisht të shfrytëzohet rasti që jo vetëm popullsia rezidente që punon dhe jeton në Kosovë, por edhe pjesëtarët e shoqërisë shqiptare në migracion, që të dihet numri i përgjithshëm”, thotë Blaku.
Ndryshe, emigrimi i lartë edhe sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme thuhet se do të ndikojë edhe në strukturën e popullsisë në vitet vijuese, pasi që vlerësohet se pjesa dërmuese e emigrimit në vitet e fundit, kishte përfshirë grupmoshat e reja kryesisht 25-44 vjeç. /KultPlus.com