19 Dhjetor, 2020 - 3:28 pm
Roli i diasporës në mbështetjen dhe promovimin e trevave shqiptare ka qenë përherë prezente nëpër vite. Tanimë aktivistë të shumë shoqatave dhe organizatave nga mërgata i ka bashkuar kultura, nën ombrellën e simbolikes “Tok”, shkruan KultPlus.
Shoqata “K” nga Vjena, “Ajo” nga Londra, “Marrja Zezë” nga Berlini, “URACult” nga Kölni, “Brezi Ynë” nga Zürichu, “ODA” nga Hamburgu dhe Germin nga Prishtina/Tirana u unifikian për të përçuar në vende të ndryshme të globit vlerat dhe kulturën e popullit shqiptar.
Të gjitha këto organizata e shoqata vendosën që të fillojnë rrugëtimin e tyre nën moton ”TOK me kulturën tonë”, i cili do të nis më 26 dhjetor virtualisht me muzikë e letërsi për të vazhduar më tutje.
“TOK është një iniciativë që synon ta prezentoj artin dhe kulurën shqiptare anembanë botës. Kjo iniciativë një ditë do të jetë një platformë kulturore ndërkombëtare”, shkruhet në njoftimin e këtij organizimi.
Aktiviteti i cili do të nis nga ora 19:00, do të jetë ombrellë e artistëve, profesionistëve e vullnetarëve të cilët e duan artin dhe kulturën.
Më poshtë po ju sjellim programin e plotë:
“Rrugëtimi i ynë i parë muzikor e letrar do të jetë virtual dhe do të na sjell në Tiranë, Zürich, Vjenë, Köln, Hamburg, Londër, Berlin e Prishtinë. Në të ardhmen ky udhëtim do të vazhdoj me ju dhe pranë jush, në Tetovë, Stockholm, New York, Ankara, Ulqin, Toronto, Shkodër, Romë, Zagreb, Athinë e Prizren e kudo që jeni”, thuhet tutje në njoftim.
Kujtojmë që për dizajnin e pllakatës është përkujdesur Anyla Berisha, kurse krijimin e videos është duke e punuar Berat Hasani.
https://www.facebook.com/events/829486504287525 / KultPlus.com