23 Maj, 2021 - 6:55 pm
Nga Entela Hidri
“Toka që ujitet me ujë quhet balte, toka që ujitet me gjak quhet atdhe…” Vilson Imamaj
Me kujtohet si sot, 1998 pallati i sportit Asllan Rusi… nuk ishte i mbushur me britma sportistesh, por ishte i mbushur me britma loti… Zoti im sa shumë dhimbje, në kaq pak vend të vogël. Nëna me flokë të shpupuritura që numërojnë fëmijët edhe ata që si morën dot me vete. Nëna me duar në gji, ç’gjamë, nëna me duar në gji. Nëna pa amësi. E unë bijë e vogël që shpërndaja ujë dhe bukë për nëna pa bija e bij. Lëngata tmerr dhe lot. I lëmoja fytyrën dhe lotët se linin nënë Hasimen të shikonte me ditë të tëra. E ushqeja, i prekja dorën dhe ajo godiste kraharorin e çarë nga dhimbja. Godiste vendin ku duhet të ishte zemra. Godiste zgavrën e mbetur bosh. Kthehesha në shtëpi dhe tërë natën ripërsërisja mes lotëve atë dhimbje që shikoja me sy e zemër. Ndjeja dhimbje duke rikujtuar ata lot e vuajtje të papërshkruar. Ishte dhimbje mbijetese, ishte ikja nga toka e gjakut të shekujve. Gjak burrash dhe ikje e dhimbjes së vdekur tashmë. E dhimbjes që i kishte harruar gjallë për të rrëfyer. Më pas diteë në vijim shikoja si dyert tona hapeshin për ata që mbetën jashtë shqipes mëmë. Vëllezër të një gjaku ndarë në dy anë. E siç thotë shprehja “Rrno per me tregue” e at Justin Rrotës, më vjen në shpirti sa herë më kujtohet Lufta e Kosovës. Ato ditë njoha nënë Fatimen. Gruan me fytyrë e shpirt të bardhë, e cila e humbiste shikimin mbi qiej, sikur diçka numëronte apo kërkonte mes gishtërinjsh dhe mbetej aty si një statuje e butë prej mishi dhe mëshire, derisa nganjëherë hapte gojen dhe rrëfente kopshtin me trëndafila, bukën e ngrohte që gatuante nusja e vogël e kërthinjtë nder djepa, deri ditën që ajo harronte se kishte ndodhur…
“A dot vish ti bijo n’trojet e mija me tërfila, n’kullën time bijo, n’Drenic. A ke me ardh me tan fisin tand…”, e mua me rridhnin lot, lot të një shpirti që mësoi ta jetojë dhimbjen e tjetrit. Nënë Fatimes ia kishin shembur kullën me tank e bashkë me të, ç’kishte pasur brenda. “Do vi nënoke, do vi ta haj bukën e kulaçit në shpinë me oborr me lule, bukën e ëmbël të shqiptarit nënoke do vi.”, kisha gënjyer ata sy të qelqtë, e dhimbja ma kalonte qenien si një rrymë ere, si një shpresë e gjallë, si një jetë-hije. Kalonin ditët e muajt, e dalëngadalë lufta mbaroi, shpirtrat u liruan e në rrugët e qiellit, sepse toka tash u bë e lirë. Por jetët që vazhduan, mbanin në deje brengën e ikjeve pa kthim, klithmën e djepave e gjamën e burrave. Mbanin ndër supe jetët e këputura, e të falura për lirinë që e fali Zoti, për tokën që e fali Zoti, për ata që mbetën për të treguar, tmerre që njerëzimi pak herë parë i pati…
Shumën vite më pas të shikoj ty biri i shpirtit, tek nisesh me ekipin e Shkabës për kampionat, bije shqipesh që nisen në Serbi. Në atë Serbi ku s’mund të flitej gjuha e mohuar shqipe. E bashke me djem e vajza krenare dhe me guxim shqiponje nder zemra, flladitën dhe provuan lartësitë e maleve të Fitores, e flamurit i dhatë dallgë e valvi pa ndal. Ti bir je i vogël e ndoshta s’e kupton çdo të thotë atdhe, tokë, gjak, rrënjë, shqipe, patriotizëm i vërtetë, por nëna bashke me qumështin të mësova të jesh krenar e veç të tjerash dhe më kryesorja edhe që je shqiptar. Të jesh shqiptar kudo, edhe në mes të asaj Serbie që rrënjën ia ka kërku t’ia nxjerri vatanit tonë, por që as degët s’ia krasiti dot.
Unë e dua paqen, e dua butësinë, qetësinë, e dua një bote më të mirë, pa konflikte etnike dhe fetare, por nuk mundem të harroj historinë e kombit tim. Nuk e harrojmë dot, se gjaku ka aromën e kujtesës, të krenarisë, andaj ti biri im sot je ndeshur për të vendosur ne vend copëzën tënde të flamurit kuq e zi, të atdheut tënd, të trojeve ku nëna të mësoi se gjaku nuk harrohet kurrë…
Fitore shqipet… 22 Maj 2021/ KultPlus.com