5 Qershor, 2024 - 4:18 pm
Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, figura kryesore që solli ndërhyrjen e NATO-s në ndalimin e gjenocidit serb, do të jetë në Kosovë në ditën e paqes e cila më 12 qershor shënon edhe Çlirimin e Kosovës.
Kështu i është konfirmuar Klan Kosovës, kur u pyet nëse në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës, Blair, do jetë prezent apo do i drejtohet popullit të Kosovës virtualisht.
‘’Do jetë prezent’’, është përgjigjur Ilir Kërçeli, këshilltar i kryeparlamentarit Glauk Konjufca.
Zhvillimi vie meqë në mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit, si pikë e parë e rendit të ditës është paraparë caktimi i një seance solemne, ku Tony Blair do i adresohet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
”I. Caktimi i Seancës solemne për adresimin e ish Kryeministrit të Britanisë së Madhe, SH. T. Z. Tony Blair, deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
Më datë 23 mars 1999, kryeministri britanik Tony Blair iu drejtua Parlamentit Britanik për politikën e NATO-s ndaj Kosovës me fjalët:
”Çdo fshat shqiptar në rajonin e Drenicës është në flakë. Familjet po dëbohen dhe largohen nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Ka raporte që burrat i ndajnë nga gratë. Ne nuk e dimë se cili është fati i tyre”.
Si i pari lider europian, Tony Blair për shqiptarët do mbahet mend gjithmonë si njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviqit në vitin 1999-të.