22 Gusht, 2024 - 3:37 pm
Pas Amfiteatrit, Torra Veneciane, mbetet një nga atraksionet kryesore për vizitorët në qytetin e Durrësit.
E kthyer në qendrën e parë të interpretimit të trashëgimisë kulturore përmes një programi teknologjik, objekti është vizituar përgjatë muajve Janar-Korrik nga të paktën 8 mijë e 500 turistë.
Turistët vlerësojnë Durrësin dhe bukuritë e tij.
“Jemi këtu për herë të parë në Shqipëri. Donim të shihnim diçka të re. Ju jeni në Evropë dhe tani Shqipëria është një vend i hapur, me njerëz modernë”.
“Është dita jonë e parë në Durrës. Jemi nga Italia dhe na pëlqen bregdeti. Jemi një grup shoqesh, do të qëndrojmë një javë dhe kemi planifikuar të bëjmë një turne në disa qytete të Shqipërisë”.
“Vij për vitin e dytë radhazi dhe më pëlqen shumë plazhi. Më pëlqen qyteti i Durrësit, kam qenë edhe në Sazan. Më pëlqen historia e Durrësit, historia e tij e lashtë dhe kjo kulla këtu. Do të qëndrojmë gjithsej 10 ditë”.
“Ne vendosëm të vizitojmë Durrësin sepse është një qytet i vogël dhe i këndshëm, me njerëz miqësorë. Ne kishim dëgjuar për Durrësin nga njerëz të tjerë që banojnë në Tiranë. Para se të vinim në Durrës, pamë disa video në YouTube dhe kështu nisëm të kërkonim një vend të përshtatshëm dhe kështu morëm një apartament me qira. Kemi 8 muaj këtu dhe mendojmë të qëndrojmë edhe një vit tjetër. Kjo është një përvojë shumë e mirë për ne. Jemi nga Shtetet e Bashkuara, nga Teksasi”.
Durrësi tashmë është kthyer në një pikë referimi për turistët që dëshirojnë të kombinojnë plazhin me eksplorimin e historisë së pasur të Shqipërisë.
Me një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve, qyteti po konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend./atsh/KultPlus.com