Tradita e “surretënve” apo karnavaleve shkodrane

13 Shkurt, 2024 - 9:28 am

Kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci zbuloi pak nga tradita e mrekullueshme shumëvjeçare e Shkodrës, përmes një postimi në rrjetet sociale, mbi karnavalet e Shkodrës.

Beci kujton se, karnevalet në Shkodër janë quajtur “surretën” ose më saktë ashtu quhen ato që vishen për karnavale.

“Në vitin 1860 erdhën në Shkodër dy këpucarë: njani hungarez, Shtjefën Ingris, tjetri Dalmatin, Jovan Drakutinoviqi. Të dy mjeshtrat i tregojshin punëtorëve rreth kremtimeve të karnevaleve që zhvilloheshin në përjashta, sidomos në Venedik”, shkruan kryebashkiaku Beci duke përcjellë një gojëdhënë të vjetër nga Gjush Sheldia (arsimtar e studiues i folklorit të Shkodrës).

Tradita tregon se “surretënit” shëtisnin, i binin dyerve të shtëpive, këndonin, kërcenin duke kërkuar shpërblim petullat karakteristike, por edhe fruta të thata.

Nismëtarët e festimit realizoheshin nga disa grupime, që zotëronin aftësi për “aheng e dyzen” me daulle e surle, një kortezh me instrumentistë të ndryshëm, valle dhe ekspozim i veshjeve të ndryshme dhe me maska. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme