20 Mars, 2021 - 1:58 pm
Në një kohë kur më shumë se 276 milionë automjete lëvizin nëpër rrugët e SHBA-së, presidenti i tanishëm amerikan, Joe Biden, e sheh transportin me tren si mënyrën më të sigurt për të udhëtuar, ndoshta e nxitur kjo nga tragjedia e një aksidenti me makinë, që përfshiu vite më parë, familjen e presidentit.
Megjithatë, shumë nga paraardhësit e tij presidencialë e kanë parë trenin jo thjesht si mjet transporti, por edhe një mënyrë për të zhvilluar fushatat më pranë njerëzve. Andrew Jackson u bë presidenti i parë që hipi në një tren, ndërsa William Henry Harrison i pari që arriti në inaugurimin e tij me tren. Abraham Lincoln, nga ana tjetër, në përurimin e tij më 1861, u ndal 93 herë nëpër qytete, duke ndërruar edhe shumë trena, çka e lejoi atë të kishte një kontakt më të afërt me qytetarët. “Shtetet e Bashkuara”, kështu quhej treni i tij privat, në të cilin udhëtoi vetëm një herë… pas vrasjes së tij, në një udhëtim të zymtë që kaloi nëpër 180 qytete.
James A. Garfield presidenti i 20-të mund të ketë qenë një tjetër mbështetës i udhëtimit me trena, po të mos ishte qëlluar me armë teksa hipte në një të tillë, më pak se katër muaj nga mandati i tij i parë. Ndjekja e kësaj tradite nisi të zbehej disi gjatë fushatave të Roosevelt dhe Truman, të cilët ishin më të prirur të lëviznin përmes automjeteve private, megjithatë pa i lënë pas udhëtimet hekurudhore.
Në kohë më të afërta, rikthimi i kësaj tradite u pa si diçka nostalgjike, por në vetvete edhe kjo një fushatë. Presidentët George H.W. Bush dhe Bill Clinton, të dy hipën në trena gjatë fushatave të tyre, e po ashtu u ndoqën nga Barack Obama dhe Joe Biden, të cilët duket sikur evokuan Lincoln në udhëtimet e tij. Kohët e fundit, për çështje sigurie, udhëtime të tilla shmangen, dhe për presidentët transporti ajror është më i sigurt sesa ai tokësor. Megjithatë, Biden duket se do të kthejë vëmendjen kah industria hekurudhore, për të cilën bëri thirrje se do të ketë një Revolucion të Dytë të Madh Hekurudhor./a2cnn/ KultPlus.com