8 Janar, 2025 - 11:59 pm
Parku natyror i Liqenit të Ulzës do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura për turistët në çdo stinë të vitit.
Kryetari i bashkisë së Matit, Agron Malaj bëri të ditur bëri të ditur se rehabilitimi i parkut do të sjellë edhe zhvillim ekonomik për zonën.
“Një investim tejet i rëndësishëm për Matin, pasi falë mbështetjes së Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit me zbatimin e këtij projekti, vendi ynë do të ketë një zhvillim të konsiderueshëm të turizmit”, theksoi Malaj.
Sipas tij, Ulza është perla turistike e zonës, por me krijimin e zonës së plazhit dhe shëtitores do të shndërrohet në një nga atraksionet më të bukura turistike për turistët në çdo stinë të vitit.
Projekti për rehabilitimin e Parkut Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonave përreth tij synon të arrijë rikualifikim dhe rikompozim të parkut duke kryer edhe ndërhyrje specifike në infrastrukture, ngritjen e qendrës së informimit duke aplikuar struktura në harmoni me natyrën, ngritjen e mjediseve çlodhëse si dhe argëtuese për vizitorët, si dhe identifikimin dhe krijimin e shtigjeve natyrore.
Parku Natyror “Liqeni i Ulzës” dhe zonat përreth tij ofrojnë një potencial shumë të mirë për zhvillimin e turizmit natyror, të kombinuar me kulinarinë, hiking, lundrimin në liqen, etj.
Nëpërmjet këtij projekti synohet të realizohet ruajtja në gjendjen natyrore të peizazhit, sistemet ekologjike dhe karakteristikat natyrore të zonës./ KultPlus.com