11 Janar, 2025 - 2:30 pm
Aulona Bylykbashi, nënkryetare e bashkisë së Elbasanit, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për rijetësimin e lagjes “Kala” të Elbasanit, tha se transformimi i saj do të jetë një fillim i ri jo vetëm për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por dhe për qytetarët e Elbasanit.
“Thonë se kalatë janë një rikthim tek e shkruara, por unë sot e shoh ndryshe. Për mua transformimi i “Kalasë” do të jetë një fillim i ri jo vetë për ata që jetojnë brenda këtyre mureve, por për të gjithë qytetarët e Elbasanit. Ajo që sjellim sot këtu nuk është vetëm një akt i emancipimit mbi mënyrën si po qeverisen dhe zhvillohen qytetet tona, por është një portë e re e hapur drejt horizonteve të reja përmes jetësimit të kësaj hapësire dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Bylykbashi,
Në nisje të fjalës së sja Bylykbashi theksoi se “Kalaja ka shërbyer si një pikë strategjike mbrojtje, por gjithashtu ka qenë një qendër e rëndësishme tregtare kulturore dhe shoqërore për qytetin e Elbasanit ndër shekuj”.
“Brenda mureve të kalasë janë zhvilluar dhe funksione të rëndësishme tregtare”, tha Bylykbashi.
Bylykbashi shtoi ndër të tjera se bashkëjetesa e shumë objekteve të besimeve të ndryshme “brenda mureve të kalasë është një tregues shumë i rëndësishëm i asaj tolerance unike dhe bashkëjetese kulturore dhe fetare që ka karakterizuar ndër breza komunitetin e Elbasanit”.
“Kalaja ka strehuar edhe shkolla dhe institucione arsimore”, nënvizoi Bylykbashi.
“Edhe sot kalaja e Elbasanit është një hapësirë me një jetë dhe dinamizëm. Kjo është një kala në të cilën ka dyqane artizanale, punishte tradicionale, restorante të cilat na ofrojnë një shije të mirë të kulinarisë tonë tradicionale”, tha Bylykbashi./ KultPlus.com