6 Dhjetor, 2023 - 1:10 pm
Një tjetër traditë shqiptare pas Xhubletës është futur në UNESCO, si pjesë e Trashëgimisë Kultuore jo materiale.
Komiteti Ndërqeveritar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore Jomateriale i mbledhur në Botsvana në Konferencën XVIII, votoi përfshirjen e Transumancës, ritin e shtegtimit të bagëtive në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.
Sipas kësaj traditë të lashtë, me ardhjen e verës barinjtë i zhvendosin bagëtitë drejt bjeshkëve për të kullotur, ndërsa ky rit shoqërohet edhe me këngë pastorale, festë apo kulinari. Ndërkohë, me të ardhur dimri, barinjtë i zhvendosin bagëtitë në stane. Kjo traditë lidhet me ndërrimin e stinëve, përgjatë të cilave ndodh ky migrim dhe tashmë vihet në mbrojtjen e UNESCO-s, si shprehje e shpirtit të bartësve të kësaj tradite.
Shqipëria kandidonte në një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë, duke iu bashkuar Austrisë, Greqisë dhe Italisë, që ishin përshirë më herët, në vitin 2019 me këtë dukuri.
Kjo dosje u hartua nga Ministria e Kulturës me mbështetjen financiare të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
Ekspertët që hartuan dosjen janë:
Esmeralda Lici, ekspert/koordinator për Jugun e Shqipërisë
Zef Gjeta, ekspert/koordinator për Veriun e Shqipërisë
Suzanne Ogge, ekspert i UNSCO-s
Meri Kumbe, ekspert i UNSCO-s
Bendis Pustina (Ministria e Kulturës)
Sokol Muça (Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore)
Niko Kotherja (Qendra Kombëtare e Veprimtarisë Tradicionale). / Top Channel / KultPlus.com