22 Janar, 2025 - 6:23 pm
Ministria e Kulturës dhe Sportit e Kosovës njoftoi për nxjerrjen në tregun digjital të platformës “Trashëgimi me ngjyra”. Bëhet fjalë për një libër interaktiv me aktivitete për fëmijë.
Platforma e shkarkueshme në të gjitha pajisjet, qofshin IOS apo Android, ofron metoda përfshirëse dhe emocionuese për të mësuar mbi trashëgiminë kulturore. Duke u zbavitur, fëmijët mund të mësojnë dhe të lidhen me thesaret kulturore dhe historike të komunës së Prishtinës. Ata mund të kënaqen duke ngjyrosur e duke luajtur dhe njëkohësisht duke i dhënë krahë kreativitetit të tyre.
Platforma është e mbushur me ilustrime për t’u ngjyrosur, lojëra argëtuese që u kërkojnë fëmijëve të përfshihen, udhëzime hap pas hapi për secilin aktivitet, si dhe tregime të shkurtra për trashëgiminë kulturore të Prishtinës.
Qëllimi është që fëmijët të njihen herët me trashëgiminë kulturore dhe të nxiten që ta vlerësojnë dhe ruajnë historinë për brezat e ardhshëm./atsh/KultPlus.com