Trashëgimia e pasur kulturore e Luginës së Matit

24 Tetor, 2024 - 5:20 pm

“Turi i Kullave”, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare nga një vështrim i panjohur më parë, hapi portat e kullave të gurta për të zbuluar trashëgiminë e pasur materiale, shpirtërore e kulturore të luginës së Matit.

Në vazhdën e modelit pilot “Turet Agroturistike”, produkti i tretë turistik, “Turi i Kullave”, bashkoi operatorë turistikë, bashkëpunëtorë dhe dashamirës të traditës, arkitekturës dhe historisë në një udhëtim të shkurtër, por mbresëlënës, në disa prej kullave që janë pjesë e këtij turi.

Dyert e kullave u hapën me bujari për të ofruar gatimet tradicionale të zonës së Matit dhe Bulqizës, të cilat u pasuan me këngë, valle dhe histori të trashëguara brez pas brezi.

Ndër disa kulla, pjesë të turit, pjesëmarrësit vizituan “Kullën e Barçit”, “Bujtinën Çeliku”, “Kullën e Shaban Zajmit”, “Kullën e Moçme” dhe “Kullën Hupi”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot se ky tur është një mundësi për të njohur nga afër mënyrën e jetesës tradicionale shqiptare, që e bën më interesante ofertën gjithpërfshirëse të aktiviteteve që operatorët turistikë ofrojnë.

Gjithashtu, theksoi ministrja, ky tur vjen edhe si një ftesë mirëseardhjeje në ato vatra nga merr kuptimin mikpritja si virtyt përmes shprehjes “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se së shpejti, turi i kullave do të jetë gjithashtu pjesë e aplikacionit të agroturizmit.

“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë./tema/KultPlus.com

Të ngjajshme