2 Mars, 2020 - 10:20 pm
Frank Uve Lajsipen, i njohur si Ulay, njëri ndër pionierët e performansit artistik, ka vdekur në moshën 76 vjeçare, në Lubjanë, pas një sëmundjeje të rëndë.
Ai kishte eksperimentuar në sfera të ndryshme të artit vizual duke e përdorur polaroidin e tij të mirënjohur dhe duke insistuar në pjesëmarrjen e publikut gjatë performansave të tij.
Holandezi ishte partner shumëvjeçar intim dhe artistik i artistes së njohur Marina Abramovic, me të cilën kishin realizuar projekte të përbashkëta ku i sfidonin kufijtë e durueshmërisë njerëzore, prej vitit 1976 deri më 1988. / Klan Kosova / KultPlus.com
Ulaj dhe Abramovic ishin ndarë në vitin 1988 mbas performansit në Murin Kinez, pasi i kishin kaluar më shumë se 2.500 kilometra duke ecur drejt njëri-tjetrit nga këndet e kundërta. Punën e tyre të përbashkët e kishin dokumentuar në veprat “Relations Works”.
Sërish ishin takuar gjatë performansit të saj “The Artist is Present”, në Muzeun e Artit Modern (MoMA), në New York, kur Ulay ishte shfaqur në galeri dhe ishte ulur para saj në tavolinë. Marina Abramovicit i ishin mbushur sytë me lot.
Ajo ka deklaruar për të: “Ai ishte i jashtëzakonshëm si artist dhe si qenie njerëzore”.
Në vitin 2009, Ulay ishte zhvendosur nga Amsterdami në Lubjanë, ku edhe ka vdekur sot.