18 Shkurt, 2025 - 2:32 pm
Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u organizua aktiviteti “Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe lexuesve të shkrimtarit të madh.
Në aktivitet u analizua figura e Dritëroit në shumë dimensione. Analiza e profesor Behar Gjokës u përqendrua te proza e shkrimtarit të madh, veçanërisht te romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me top”. Sipas tij, satira te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte rebelim ndaj kohës, ndërsa “Njeriun me top”, e quajti analizë sociale të fshatit, zakoneve të tij, të marrëdhënieve të njeriut me pronën, vatrën familjare, etj.
Studiuesja Rovena Vata foli për poezinë e Dritëro Agollit, larminë e saj, duke veçuar shpirtin e tij lirik që mbizotëron në të gjithë krijimtarinë e tij.
Ndërsa pedagogia Anila Mullahi vlerësoi rëndësinë e krijimtarisë së Agollit, pas viteve ’90, që është pak e analizuar, ndonëse është e konsiderueshme nga pikëpamja sasiore. Madje, ka vepra si “Arka e djallit” që sipas saj, mund të quhen fare mirë, kryevepra./atsh/KultPlus.com