3 Qershor, 2020 - 6:30 pm
Një burrë në qytetin e Uashington u hapi derën e shtëpisë dje dhjetra protestuesve që ishin rrethuar nga policia, pas nisjes së shtetrrethimit dhe mesymjes së policisë në kryeqytetin e SHBA.
Sipas raportimeve, në ora 06.00 të mëngjesit kur skadoi koha e ndalim-qarkullimit, më shumë se 60 njerëz dolën nga shtëpia e tij tre-katëshe duke brohoritur e duke duartrokitur të zotin e saj Rahul Dubey.
Dubey, një 44-vjeçar indiano-amerikan, reagoi instinktivisht kur policia po shpërndante me dhunë protestuesit.
Një nga protestuesit, 22 vjeçari Meka, tha se po protestonte paqësisht kur policët bllokuan të dyja daljet e rrugës Swann Street në veriperëndim të qytetit.
Ai thotë se policia nisi të mësyjë ndaj tyre, duke i shtyrë e duke goditur, duke përdorur ‘spraj’ djegës dhe duke mos i lënë të largoheshin.
Në këtë moment Dubey që po ndiqte skenën nga hyrja e tij, hapi dyert e shtëpisë 500 metra katrorë.
Ai tashmë po quhet “hero” dhe “legjendë absolute” për aktin.
“Hapa dyert dhe duke u mbajtur te parmaku nisa të shtyj njerëzit drejt shtëpisë”, tha ai për revistën Esquire. “Ishte si një tsunami njerëzish që policët po shtynin në rrugën time, dhe e gjithë përmbytja po hynte në shtëpi. Unë i thoja ‘Hyni brenda, hyni brenda’, ‘Ngjituni lart! Ngjituni lart’”
Dhuna e policisë u përshkallëzua pasi presidenti Donald Trump u dha një paralajmërim të ashpër protestuesve që nga shumë në vend u interpretuar si shpallje lufte. Trump i përshkroi një pjesë të protestuesve si “anarkistë profesionistë, turma të dhunshme, zjarrvënës, grabitës, Antifa e të tjera.”