17 Maj, 2021 - 12:01 pm
Sot bëhen tre vite nga vdekja e Kujtim Paçakut, poetit që la gjurmë të mëdha në kulturën rome, shkruan KultPlus.
Për të përkujtuar Paçakun, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka publikuar një komunikatë në faqen zyrtare në Facebook, ku e ka cilësuar atë si një prijës kulturor i komunitetit rom.
KultPlus ju sjell më poshtë komunikatën e plotë të MKRS-së.
Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tespihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
V
E
R
T
I
K
A
L
I
SH
T
Meqë gjithë jetën
S’më lanë se s’më lanë të ngrihem në këmbë!
I lindur më 12 prill 1959, prof. Kujtim Paçaku kreu Akademinë e Arteve, Degën e Artit Muzikor në Prishtinë, si dhe Akademinë mobile për Regji dhe Aktrim, në klasën e prof. Faruk Begolli. Prof. Kujtim Paçaku ishte mësues në Dule dhe Bllacë në vitin 1986. Ka diplomuar në romologji në Sorbonë të Francës. Ishte prej gazetarëve të parë rom në Europë, ku në këtë dhe veprimtari tjera punoi për më shumë se 40 vite.
Në legjislaturën e pestë të Kosovës është zgjedhur si deputet rom. Viteve të fundit punoi si profesor i muzikës në Universitetin e Prizrenit dhe të Gjakovës.
Në vitin 2008, nën dirigjimin e prof. Kujtim Paçakut, u krijua okteti i parë rom në botë i quajtur “Mistik Ilo” (Shpirti Mistik). Në këtë oktet, janë involvuar pjesëtar aktiv të komunitetit rom, të cilët perfomuan këngë të vjetra rome, autoktone dhe më një kombimin maestral me poezitë e Kujtimit, romët pasuruan kulturën kosovare me këngë dhe poezi.
Penda e Kujtimit shkroi thellë, një poet i shkëlqyeshëm që u këndoi romëve dhe të gjithvë me veprat e tij: ‘Si bëhët kënga rome’, ‘Violina e tij’, ‘Hedërlezi’ e ‘Testamenti’. Prof. Paçaku cilësohet si romi që gjeti formulën e pavdeksisë, pasi poezitë e tij jetojnë me ne.
Veprimtaria e tij e larmishme ishte një prej pishtarëve me rëndësi qëndrore për zërin kulturor të komunitetit Rom në Kosovë dhe është jehonë e veçantë shpirtërore e trashëgimisë artistike poetiko-muzikore të Kosovës.
Kujdesi lirik gjuhësor, mendimi i gdhendur filozofik, aftësia për të krijuar narrativë substanciale dhe kapaciteti njohës kulturor i tij preku gjithë Kosovën dhe sidomos komunitetin kulturor.
Kontributi i tij do të mbahet mend përjetesisht dhe figura e tij intelektuale e artistike do të jetë shembull për propagimin e kulturës kosovare dhe gjeneratave të reja në kulturë. / KultPlus.com