27 Janar, 2025 - 1:32 pm
Ansambli Popullor e çeli sezonin e tij të ri artistik me koncertin “Trëndafilin kur ta dhashë”. Koncerti tërhoqi vëmendjen e publikut i cili mbushi gjithë sallën e TKOBAP.
Këngët dhe vallet më të bukura shqiptare erdhen në një koncert-triptik muzikor, i mbështetur në lajtmotivin e dashurisë.
“Trëndafilin kur ta dhashë” erdhi si një udhëtim muzikor nga Veriu, Shqipëria e Mesme dhe trevat e Jugut, ku u përjetua pasuria kulturore, magjia e këngës shqipe dhe bukuria e valleve tradicionale.
Drejtuesi i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Solol Marsi tha se kjo ishte një shfaqje me emocione të bukura e të forta. “Trëndafilin kur ta dhashë” përmbante këngë, valle, pjesë vokale të cilat trajtuan të gjitha tematikën e dashurisë.
Në shfaqje interpretuan solistët e Ansamblit Kombëtar, grupi i valleve, grupi vokal dhe orkestra. Ndër pjesët më të duartrokitura ishte K’cimi i Tropojës por gjithashtu publiku shijoi vallen e Çamërisë, vallen e Shqipërisë së Mesme etj./atsh/KultPlus.com