Tri dekada pas premierës, “Lamerica” nxit reflektimin mbi vitet `90 dhe ëndrrat e shqiptarëve

12 Mars, 2025 - 6:57 pm

Mbrëmjen e djeshme në mjediset e organizatës “Tek bunkeri” u shfaq filmi “Lamerica” i regjisorit Gianni Amelio, një film që na rikthen në Shqipërinë e viteve ’90, kur shumë shqiptarë ëndërronin një jetë më të mirë matanë detit.

Pas filmit u zhvillua një bisedë me regjisorin Pirro Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, i cili ka sjellë disa prej filmave të suksesshëm të viteve ’70-’80, por gjithashtu ai është edhe një nga aktorët e filmit. Biseda hapi një reflektim mbi periudhën që filmi trajton dhe ndikimin e saj në shoqërinë shqiptare.

Ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, pjesë e programit të EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.

I vlerësuar me Golden Osella për Regjinë më të Mirë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe zgjedhur si përfaqësuesi i Italisë për Çmimet Oscar, ky film përçon një histori të thellë mbi identitetin, zhgënjimin dhe shpresën.

Filmi vendos përballë pasqyrimit të një kohe kur mijëra shqiptarë kërkonin një të ardhme më të mirë, dhe në fund, mbetet një reflektim mbi fatin e përbashkët të njerëzve në kërkim të një vendi që shpesh ekziston vetëm në ëndrra./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme