Tri ekspozita në Prishtinë që mund t’i vizitoni këtë vikend

11 Nëntor, 2022 - 6:01 pm

Ministria e Kulturës ka njoftuar publikun për tri ekspozita që mund ti vizitoni në vikend, përcjell KultPlus.

Duke filluar nga Galeria Kombëtare e Kosovës, Galeria e Ministrisë së Kulturës e deri te Muzeu i Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

“Në Galerinë Kombëtare të Kosovës është e hapur ekspozita personale “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” e artistit Jeton Gusia kuruar nga Blerta Hoçia. Vizitori do ta gjejë veten të zhytur në thellësitë e tuneleve brenda të cilave vallëzon një ritëm primordial, ai i pavetëdijes kolektive, ku herë pas here fragmente imazhesh arketipike si idile të pikturuara të përditshmërisë rilindin, duke u shfaqur me thjeshtësinë e jetës së jetuar.

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës mund të shihni ekspozitën “Monumenti i Lules së Parë”, nga Astrit Ismaili, kuruar nga Donjetë Murati. “Monumenti i Lules së Parë” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhën me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë. Kur mund të përcaktojmë një moment të caktuar transformimi?

Në Muzeun e Burgut të Prishtinës gjatë ditës së shtunë mund të vizitoni ekspozitën “Burgu i Idealit”, e cila sjell tekste historike, fotografi, ilustrime, video materiale e intervista me rrëfime, krijimtari artistike të burgut si piktura e vjersha nga ish të burgosurit, emrat e mbi 9000 të ish të burgosurve politik shqiptarë në këtë dhe burgje të tjera të Kosovës”, thuhet në postimin e MKRS. /KultPlus.com

Të ngjajshme