23 Dhjetor, 2024 - 3:29 pm
Paolo Bellino, CEO i RCS Sport deklaroi sot se, “Giro d’Italia” në Shqipëri do të sjellë edhe rritje të turizmit.
Në konferencën e prezantimit të “Giro d’Italia Grande Partenza” që do të mbahet majin e ardhshëm në Shqipëri, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Bellino u shpreh se, kishte disa vende që ishin të interesuara për nisjen e madhe të “Giro d’Italia 2025”.
Bellino falënderoi kryeministrin Edi Rama, sepse theksoi ai, “na ka bindur, jo thjesht vendi juaj, jo vetëm organizimi dhe entuziazmi, por na ka bindur jashtëzakonisht shumë entuziazmi dhe forca e tërheqjes së kryeministrit Rama, sepse me të vërtetë na ka përfshirë në një rrugë vendimmarrëse ku nuk mund t’i thuhej dot jo”.
Bellino tha se, kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për të treguar pamje të mrekullueshme të Shqipërisë.
“Besoj se kemi bërë një zgjedhje shumë të mirë, vendi juaj është gjithmonë në rritje dhe shpresoj që do të jetë një mundësi shumë e madhe shikueshmërie për botën, sepse çiklizmi është sporti më i mirë për të treguar, jo vetëm një rrugë çiklistike, por edhe vendin mikpritës. Pra është rrëfimi i të gjithë Shqipërisë dhe do të kemi pamje të mrekullueshme”, tha ai.
Ai theksoi se etapat do të jenë nga 9 deri 11 maj 2025.
“Duhet të jemi këtu më 9 dhe 11 maj. Më 13 janar do të prezantojmë të gjithë ‘Xhiron e Italisë’ dhe do të qëndrojmë në Shqipëri për 1 javë. Kemi tri etapa, por gjithë karvani i çiklistëve do të jetë këtu për 7 ditë, sepse ne lëvizim tre mijë persona. Pra do të kemi me të vërtetë shumë njerëz, shumë mundësi”, tha ai.
“Shpresoj tek dielli dhe tek gëzimi i shqiptarëve, sepse shpresoj që të dalin në rrugë dhe të bëjnë tifozllëk, sepse kjo është “Xhiro e Italisë”, është një spektakël i çmendur”, u shpreh Bellino.
Ai shtoi se, janë tri etapa shumë të bukura dhe shumë të spikatura edhe nga pikëpamja turistike.
“Mendoj që këtu në Shqipëri do ta kuptoni që kemi një lidhshmëri shumë të madhe, sepse pas “Xhiros së Italisë” do të kemi një rritje të pranisë turistike me të vërtetë shumë të rëndësishme dhe gjithashtu edhe mundësinë për të rritur profesionet e ndryshme”, tha ai.
Bellino theksoi se, “nuk është vetëm deti, por edhe pjesa e brendshme e vendit. Ka vende shumë të bukura për t’u vizituar. Pra do të ketë rritje edhe në të ardhmen, por në fillim do të jetë një festë e madhe për të gjithë”.
Etapa e parë do të jetë më 9 maj nga Durrësi në Tiranë 164 km, me itinerar, Durrës, Bishqem-Fushë, Papër, Gracen, Surrel dhe Tiranë.
Etapa e dytë do të jetë 13,7 km në rrugët qendrore të Tiranës.
Etapa e tretë do të jetë në qarkun e Vlorës 160 km, me itinerar përgjatë rrugës së Lumit të Vlorës, më pas Porto Palermo, Himarë, Qafa e Llogorasë, për të përfunduar në Vlorë.
Ndërsa drejtori i “Giro D’Italia”, Mauro Vegni, u shpreh se më datën 7 maj në sheshin “Skënderbej” do të bëhet një prezantim.
“Nuk do të jenë vetëm etapa që nga e premtja në të dielën, por ne do të vijmë që nga e diela paraardhëse, sepse në datën 7 maj pasdite ne do të prezantojmë në sheshin “Skënderbej” nisjen e madhe dhe të korridoreve që do të jenë në vijim të “Xhiros së Italisë”, pra do të bëjmë një promovim zyrtar të korridoreve”, tha ai.
Ndërsa çiklisti italian, Vincenzo Nibali, i cili është një nga 7 çiklistët që ka fituar 3 turet e mëdhenj, “Giro d’Italia”, në 2013 dhe 2016, “Vuelta a España” në 2010-ën dhe “Tour de France” në 2014, u shpreh se, “do të jetë një nisje shumë e rëndësishme, sepse të kesh etapa kaq të vështira që në fillim do të thotë që do të kesh vëmendjen mediatike të Xhiros, sepse shumë korridore do të kërkojnë të kenë disa sekonda avantazh për ta ruajtur atë më pas në etapat e tjera më të vështira”.
“Ne si atletë do të donim që t’u flisnim popujve dhe territoreve që na presin, sepse janë vende që kanë bërë investime shumë të mira dhe kanë dhënë vëmendjen e duhur për garën dhe janë territore në zgjerim turistik dhe që, jo thjesht vetëm për detin, por edhe për malet janë vërtetë shumë të bukur dhe që premtojnë diçka shumë të mirë për turizmin në një fazë të afërt dhe për sa i përket turizmit çiklistik”, tha Nibali.
Më pas Paolo Bellino i dhuroi kryeministri Edi Rama bluzën rozë të kryesuesit të “Giro D’italia”, të nënshkruar nga çiklisti Vincenzo Nibali.