9 Qershor, 2021 - 11:12 am
Fadil Vokrri njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i çmuar në Kosovë.
Vokrri ishte njëri nga futbollistët më të mirë shqiptar dhe është më i merituari për formimin e Kombëtares së Kosovës në futboll dhe për pranimin e FFK-së në UEFA dhe FIFA.
Karriera e tij filloi në moshën 16 vjeçare dhe Vokrri numëron gjithsej 121 gola dhe 363 paraqitje në klub. Në vitin 1980 u transferua në Prishtinë dhe qëndroi aty deri në vitin 1986 duke shënuar 55 gola në 172 paraqitjet e tij. Por, suksesi i tij shtrihet edhe në Beograd ku shënoi gjithsej 18 gola në 55 paraqitje.
Ai ishte kyç për ekipin që pretendonte titullin e Ligës së Parë Jugosllave në vitet 1986–87, dhe në drejtimin e tyre të suksesshëm në Kupën Jugosllave gjatë viteve 1988–89, duke shënuar veçanërisht në finale pasi Partizani fitoi 6–1 kundër Velež Mostarit.
Suksesi i tij do të shtrihej edhe në ekipin e Juventusit nëse Vokrri do ta kishte të përfunduar shërbimin dy vjeçar të detyrueshëm ushtarak, por pasi nuk e kishte të përfunduar ai nuk pati mundësi të udhëtonte jashtë vendit dhe iu desh që ofertën ta refuzonte.
Nîmes Olympique dhe Fenerbahçe ishin dy ekipe që patën rastin ta kenë Vokrrin në ekipin e tyre, por që produktiviteti i tij gjithmonë ishte në një nivel më të lartë kur ai luante për FC Prishtinën dhe Partizanin.
Ai vdiq në Prishtinë papritmas më 9 qershor 2018, pas një ataku kardiak. Është varrosur me ceremoni të larta shtetërore në varrezat e Prishtinës në Arbëri më 10 qershor 2018.
Në datën e lindjes së ish-futbollistit dhe ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Stadiumi i Prishtinës u emërua me emrin e Fadil Vokrrit. / KultPlus.com