29 Prill, 2024 - 12:29 pm
Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot në ditën e lindjes, poetin disident Trifon Xhagjika (1932-1963).
Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947). Në vitin 1951 filloi punë si shef redaksie në revistën “Pionieri”. Më 1954 mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes.
Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959 boton librin e tij të parë “Gjurmët”. Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë. Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe më 6 dhjetor 1963, dënohet për tradhëti, vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”. Trifon Xhagjikën e pushkatuan më 23 dhjetor 1962, në moshën 31-vjeçare.
Në Muzeun Historik Kombëtar janë të ekspozuara katër dorëshkrime origjinale të tij. Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Gjithashtu, Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”. Muzeu Historik Kombëtar e konsideron poetin e pushkatuar, Trifon Xhagjika, si një meteor drite në poezinë shqipe.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika u dekorua nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me motivacionin: “Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”. Kohët e fundit në fshatin e tij të lindjes, në Peshtan të Tepelenës është vendosur një bust në kujtim të veprës dhe jetës së tij./atsh/KultPlus.com