Trump fal aktivisten Susan B. Anthony për votën “e paligjshme” para 148 vjetësh

19 Gusht, 2020 - 2:44 pm

Presidenti Trump ka falur aktivisten Susan B. Anthony, e cila luftoi për të drejtën e votës për gratë amerikane dhe u shpall fajtore se kishte votuar në mënyrë të paligjshme në vitin 1872.

Gjatë komenteve të martën në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë me rastin e ratifikimit të Amendamentit të 19-të, që u dha grave amerikane të drejtën e votës, presidenti tha se do të nënshkruante një “falje të plotë“ për zonjën Anthony.

Susan B. Anthony ishte një figurë qendrore e lëvizjes për të drejtën e votës për gruan. Ajo votoi për herë të parë në vitin 1872 në qytetin e saj, Roçester të Nju Jorkut dhe u arrestua, u nxor në gjyq dhe u shpall fajtore për votim të paligjshëm. Zonja Anthony nuk e pagoi ndonjëherë gjobën prej 100 dollarësh, mbi 2000 dollarë në vlerën e sotme.

Presidenti tha gjatë ceremonisë se zonja Anthony kishte luftuar për të siguruar falje për gra të tjera që protestonin kundër diskriminimit në baza gjinore, por ajo vetë nuk luftoi kurrë për të siguruar faljen për vete.

mGjashtë vjet pas dënimit, zonja Anthony dhe aktivistja tjetër, Elizabeth Cady Stanton, punuan për të paraqitur në Kongres projekt-amendamentin e 19-të që u ratifikua më 18 gusht të vitit 1920. Për punën e saj, ky dokument i rëndësishëm njihet në gjuhën popullore si Amendamenti i Susan B. Anthony-t./VOA/ KultPlus.com

Të ngjajshme