26 Maj, 2020 - 11:30 am
Tulipani shqiptar që rritet në zonën e Kukësit do të gëzojë një status të veçantë mbrojtje. Vendimi është marrë nga këshilli bashkiak, ku shënohet hapi i parë i mbrojtjes së tulipanit shqiptar, që ka për qëllim nxitjen e studimeve por edhe rritjen e turizmit. “Tulipa albanica” është një lloj tulipani endemik që rritet vetëm në Shqipëri.
Tulipani shqiptar, një ekzemplar i rrallë i bimëve endemike dhe i certifikuar ndërkombëtarisht, do të ketë statusin e mbrojtjes së veçantë. Tulipani rritet në zonën e Kukësit, ndaj bashkia dhe ekspertët e mjedisit kanë ndërmarrë nismën për ta mbrojtur.
Arben Palushi, ekspert i mjedisit shprehet se “mbrojtja një e bime kryesore si “Tulipa albanica” mbron habitatin. Ideja që ne mbrojmë habitate është më e forte se ideja e mbrojtjes së një specie të caktuar, d.m.th. shpallet habitati si zonë në mbrojtje të natyrës direkte”.
Besnik Hallaçi, drejtor i AKZM Kukës shprehet se “përveç rëndësisë shkencore është edhe bazë e mirë gjenetike edhe për të vazhduar me kultivimin pasi dihet se tregtia e tulipanëve është edhe joshje në gjithë botën, por shohim edhe mundësinë e rritjes së turizmit”.
Nënkryetari i Bashkisë Kukës, Vexhi Halili u shpreh për angazhimin e këtij institucioni në mbrojtjen e vlerave të tilla si një mundësi për turizmin elitar.
“Kjo bimë unikale do të rrisë interesin dhe do të stimulojë turizmin elitar”, tha ai.
Ndërsa Endri Haxhiraj drejtues i Institutit të Politikave Mjedisore bëri të ditur se Këshilli Bashkiak i Kukësit ka marrë vendimin për mbrojtjen dhe administrimin e përkohshëm të habitatit të tulipanit shqiptar.
“Ne do ta monitorojmë situatën në terren dhe do të lobojmë në ministrinë e mjedisit që mbrojtja të kalojë në nivel kombëtar” tha Endri Haxhiraj.
Tulipani i Kukësit është zbuluar në vitin 2003 në zonën e Kolsh-Surroit, në vendin e quajtur Polla e Zezë, nga biologu Besnik Hallaçi. Deri atëherë njiheshin rreth 113 lloje tulipanësh, ndërsa tulipani shqiptar me emrin shkencor “Tulipa Albanica” renditet i 114-ti/Shqiptarja / KultPlus.com