30 Nëntor, 2022 - 12:24 pm
Në kuadër të shënimit të 16 Ditëve të Aktivizmit, SIT – Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime do ta mbajë aktivitetin “Tuneli i Fundit”, në përkujtim të viktimave të femicidit (vrasja e grave/vajzave veçanërisht nga burrat, për shkak të gjinisë së tyre) në periudhën e pas luftës në Kosovë.
Instalacioni do të jetë i hapur për publikun nga data 1 deri më 3 dhjetor nga ora 09:00 deri ne ora 19:00.
– Më 1 dhjetor në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë;
– Më 2 dhjetor tek “Kroi i Shatervanit” në Prizren;
– Më 3 dhjetor tek Sheshi “Skënderbeu” në Pejë.
Historitë e grave/për gratë viktima të femicidit do të vendoset në shesh dhe njerëzit që kalojnë nëpër të do ta kenë rastin t`i lexojnë këto storje, për ta parë një përshkrim të dhunës që gratë në Kosovë e përjetojnë përgjatë vitit, vit pas viti.
Këto tregime u përgjigjen pyetjeve “Kush? Kur? Si? Çfarë?”, dhe shpresojmë me këtë rast të përcjellim mesazhin edhe tek mediet tona se këto janë pyetjet që kanë rëndësi në raportimet për rastet e dhunës dhe jo pyetja “Pse?” – sepse dhuna nuk ka arsyetim! Në fund të instalacionit, do të jetë një deklaratë e “zotimit publik” ku të gjithë ne zotohemi se do të jemi aktivë/e kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Tuneli i Fundit implementohet nga SIT dhe mbështetet nga UN Women Kosovo, UNFPA Kosovo, Care International Balkans, Agjensioni Austriak për Zhvillim, Fondacioni OAK dhe Koaliconi K10. / KultPlus.com