19 Tetor, 2022 - 3:04 pm
Kryeministri Edi Rama inspektoi sot “KUBE”-në, një hapësirë e veçantë biznesi në Gjirokastër e cila ndodhet në galeritë e Xhamisë së Pazarit.
Kjo hapësirë e re në zemër të qytetit të ngurte është transformuar në një kafe librari-art-muze ku zhvillohen aktivitete kulturore dhe takime artistësh, në prani edhe të turistëve të shumtë.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se kjo hapësirë është restauruar para tre vitesh e cila tradicionalisht ka qenë një hapësirë komerciale edhe për banorët edhe për vizitorët.
Kumbaro sqaroi se është një zonjë nga Tirana e cila është zhvendosur në Gjirokastër duke e kthyer në një hapësirë –muze.
Edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti sqaroi se “shumë nga projektet artistike që kemi mbështetur zhvillohen në këtë hapësirë”.
Rama i shoqëruar edhe nga dy ministret, Kumbaro dhe Margariti vizitoi edhe tunelet e fohta të Gjirokastrës që lidhen me pjesën e cila shkon deri në sheshin Çerçizi.
Tuneli i Zërit, një Bunk’Art i Gjirokastrës, që daton prej kohës së luftës është kthyer sot në një atraksion të nëndheshëm turistik, gërshetuar dhe me elementin akustik të iso-polifonisë.
Kumbaro tha se “ky është tunel i Luftës së Ftohtë i cili ngjan me Bunk-Artin në Tiranë dhe është kaq i gjatë dhe kalon nga Pazari, shkon poshtë Kalasë dhe del te Bashkia. Është një bunker i cili vizitohet nga shumë turistë”.
Ministrja Margariti theksoi se edhe Gjirokastra ka mundësinë e nëndheshme të një tjetër turizmi ashtu siç kemi bërë edhe në Tiranë.