24 Janar, 2025 - 4:00 pm
“Turi i Kullave’’, një model inovativ për të eksploruar atraksionet shqiptare në kullat e gurta të veriut të vendit tonë, do të prezantohet si pjesë e ofertës turistike në panairin “ITB Berlin 2025”.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
“”Gurët që flasin” – Turi i Kullave është një udhëtim nëpër damarët që të çojnë në zemër të një trashëgimie të pasur kulturore, historike e arkitektonike të Shqipërisë së Veriut e kombinuar me përvoja agroturistike, kulinarie dhe të bërit pjesë të traditave të komuniteteve lokale”, theksoi Kumbaro.
“Ky tur i hapur gjatë gjithë vitit, ju fton të bëheni pjesë e një itinerari dhe përvojave unike, një vlerë që me krenari do ta prezantojmë si pjesë të ofertës sonë turistike edhe në “ITB Berlin 2025””, tha Kumbaro.
“Turi i Kullave” vjen si një ide inovative e mbështetur nga GIZ Albania, për të përjetuar Shqipërinë nga një kënd i paeksploruar më parë.
Ky tur është një udhëtim në zemrën e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturore të Shqipërisë së Veriut. Ky itinerar përfshin eksplorimin e pasurive historike të kullave shqiptare, duke kombinuar përvoja autentike kulturore, historike dhe agroturistike.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të takohen me banorët e këtyre kullave, të njihen me historinë dhe traditat, të shijojnë gatimet tradicionale dhe të njohin përpjekjet për ruajtjen e kësaj trashëgimie të veçantë.
“Gurët që Flasin” përçon mesazhin e jetës dhe historive të skalitura në muret e tyre shekullore, duke dëshmuar kulturën dhe traditat që këto kulla kanë ruajtur ndër vite./ KultPlus.com