23 Shtator, 2023 - 8:57 pm
Turistët vendas e të huaj vijojnë të gjallërojnë kalldrëmet e gurta të qytetit të Gjirokastrës edhe gjatë muajit shtator.
Qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.
Ramona nga Holanda tha se “vitin e kaluar ndoqa një program televiziv holandez për Shqipërinë ne u frymëzuam që të vijmë këtu. Kemi qenë në kala edhe në pazar. Është një qytet shumë i bukur, mot i këndshëm dhe njerëz miqësorë, jemi ndjerë të mirëpritur kudo”.
“Ashtu si tha bashkëshortja ime është një qytet shumë i bukur, njerëz mikpritës
nuk do ta kisha problem të kthehesha sërish në Gjirokastër”, tha bashkëshorti i Ramonës.
Një tjetër turiste u shpreh se “vij nga Venezia. Është hera e parë në Shqipëri. Kemi vizituar Vlorën, Sarandën, Butrintin, por mund të them që Gjirokastra për mua është qyteti më i bukur që kam parë”.
“Tani do të shkojmë më kështjellë dhe pastaj do të vizitojmë shtëpitë karakteristike të stilit otoman. Ne do të vizitojmë gjithashtu edhe Muzeun Etnografik. Gjirokastra është një nga qytetet më të bukura të Shqipërisë sepse është në mbrojtjen e UNESCO. Është një qytet historik, i bukur që duhet vizituar”, tha një turist italian.
Magda nga Austria tha se “do të qëndrojmë vetëm për një natë në Gjirokastër. Morëm shumë ushqime për t’i provuar”.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend. Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
Që prej janarit deri në fund të gushtit mbi 200 mijë turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar Gjirokastrën dhe rrethinat, duke regjistruar ndër shifrat më të larta në vite. Ky sezon veror e ka evidentuar Gjirokastrën si një ndër destinacionet më të kërkuara dhe kryesore për turizmin, jo vetëm në rang kombëtar, por edhe më gjerë./atsh/KultPlus.com