28 Maj, 2023 - 3:36 pm
Kryeministri Edi Rama ndau sot me copëza momentesh nga “South Outdoor Festival” në Borsh, tashmë simbol i fillimit të sezonit veror, që bashkon turistë shqiptarë e të huaj me artin, muzikën, traditën, sportet dhe mbi të gjitha me natyrën mahnitëse të Jugut.
Me qëllim promovimin e turizmit të qëndrueshëm gjithëvjetor në fshatrat e bregdetit jonian, si një kombinim i turizmit të detit me atë të traditës e aventurës, turistët vendas dhe të huaj e kthyen jugun e Shqipërisë në një arenë festimesh e argëtimesh.
“South Outdoor Festival” këtë verë ofroi për turistët mbi 40 aktivitete të ndryshme, kampingje, aktivitet nga ajri, deti, ecje në natyrë për turistët e aventurës dhe mjaft aktivitete kulturore, ku përveç bregdetit turistët njihen edhe me historinë dhe trashëgiminë kulturore.
Gjithashtu u ofruan mbi 30 aktivitete për fëmijë me workshop-e, forume dhe lojëra të ndryshme, ku nuk mungojnë në mbrëmje koncertet dhe festat nën tingujt e artistëve dhe DJ vendas dhe ndërkombëtarë.
“South Outdoor Festival” nisi më 25 maj dhe do të mbyllet mbrëmjen e sotme në Borsh./atsh/KultPlus.com