15 Shtator, 2024 - 6:31 pm
Qyteti i Memaliaj po kthehet në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot fotografi nga vizitat e turistëve në Memaliaj, të dërguara nga Elton Çaushi i agjencisë turistike “Albania Trip”.
Kumbaro tha se për këtë agjenci nuk është hera e parë që sjell turistë në Memaliaj.
“Faleminderit Elton dhe të gjithë guidave e agjencive për punën fantastike që bëni duke futur në hartën turistike të Shqipërisë edhe qytetet e vogla për t’i hapur horizonte të reja të zhvillimit turistik”, shkruan Kumbaro.
Pikat më të preferuara nga turistët në Memaliaj mbeten zonat rurale si ajo e Gllavës,liqeni i Komarit dhe brigjet e lumit Vjosa.
Lumi Vjosë është simbol i Memaliaj, një nga arsyet e qëndrimit të shumë turistëve për shkak të veçorive të tij si lumi i fundit i egër i Europës ose njohur ndryshe si “Zemra Blu”. Rrethon nga tre anë qytetin Memaliaj, duke krijuar imazhin e një gadishulli të vogël.
Memaliaj është një zonë ku mund të shijosh plotësisht të 4 stinët e vitit. Natyra ka krijuar një mjedis të larmishëm me lumenj, male, kodra e me fusha.
Natyra dhe ekoturizmi janë gjithnjë mundësi të mira në Memaliaj duke përjetuar një aventurë të bukur ndërsa udhëtoni në këtë zonë. Shëtitje në natyrë, vëzhgimi i florës dhe faunës, njohja e kulturës dhe trashëgimisë lokale, peshkimi sportiv, shëtitje me biçikleta, shikimi i shpendëve, shëtitjet me kajak, shëtitje në natyrë, rafting, turizëm fotografik, kampe përbëjnë turizmin e natyrës në Memaliaj./atsh/ KultPlus.com