23 Korrik, 2024 - 1:09 pm
Dy pedagoge dhe eksperte të turizmit, Brunilda Liçaj dhe Arjana Isaku kanë hapur një ekspozitë të veçantë në qytetin e Durrësit, duke kthyer banesën e vjetër të familjes Mima në një nga rrugicat e qytetit bregdetar, në shtëpi-dëshmi të viteve të regjimit komunist.
Ekspozita titullohet “Turistë të përgjuar” dhe rrëfen përmes ndërtimit, arredimit, dokumenteve dhe botimeve të kohës, historinë e pas Luftës së Dytë Botërore, vite në të cilat jo vetëm shqiptarët, por dhe turistët e huaj që u lejuan ta vizitojnë Shqipërinë, iu nënshtruan përgjimit. Ekspozita vjen si një udhëtim pas në kohë, në vitet e diktaturës komuniste dhe përgjimit nga Sigurimi i Shtetit.
Ekspozita sjell edhe një eksperiencë të veçantë e disi të harruar që të krijon sirena e alarmit që paralajmëronte futjen në vendstrehime, për t’u mbrojtur nga armiqtë imagjinarë.
Turistët ishin kureshtarë. Donin të zbulonin dhe kuptonin më shumë nga vendi më i izoluar i globit, që gjithçka e realizonte me forcat e veta, por përballeshin me lëvizje dhe informacion të kontrolluar nga partia-shtet.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët e huaj dhe vendas, duke ofruar një dritare informative për të njohur dhe reflektuar mbi këtë periudhë të errët të historisë shqiptare./atsh/KultPlus.com