29 Tetor, 2024 - 12:03 pm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video të dy prej turistëve që ende janë duke vizituar vendin tonë edhe këtë fundtetori. Videoja është xhiruar në kishën e Shën Kollit, Voskopojë, ku historia dhe bukuria e arkitekturës takohen në çdo gur dhe mur.
Në një udhëtim të shkurtër, turistët gjermanë kanë zbuluar magjinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke përjetuar një atmosferë të qetë dhe të thellë shpirtërore. Çifti i turistëve të moshuar, thonë se po përjetojnë një përvojë fantastike dhe se ndihen me fat që gjenden në Shqipëri, ku do të qëndrojnë për 37 ditë.
Kisha e Shën Kollit ndodhet në qendër të Voskopojës. Kisha është shpallur Monument Kulture, i llojit “Arkitekturë” dhe është ndërtuar rreth vitit 1721.
Ajo është kishë ortodokse dhe më e rëndësishmja për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e periudhës postbizantine dhe cilësisë së pikturës. Struktura është ndërtim prej guri e tipit bazilikal, me naos me kupolë, narteks, hajat dhe kambanore. Kryesisht dekorimi në brendësi të kishës ka nisur rreth vitit 1726, nga David Selenica, një prej mjeshtërve më të mirë të shek. XVIII. Stili i tij i përket shkollës tradicionale të artit të paleologëve, e njohur si “shkolla maqedonase”.
Kisha e Shën Kollit përfaqëson edhe një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të Voskopojës. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com