Turizëm dimëror në Korab-Koritnik, Gjana për ATSH-në: Pistat natyrore të skive rrisin numrin e vizitorëve

18 Janar, 2025 - 4:21 pm

Dëbora që ka mbuluar parkun natyror Korab-Koritnik është ftesë e parezistueshme për të apasionuarit pas natyrës e ngjitjeve në mal.

Korabi, maja më e lartë në vend me 2764 m dhe gjithë parku natyror rreth tij janë të bukur në çdo stinë, me peizazhe madhështore ku syri të sheh që nga majat shkëmbore, lugina, përrenj të fuqishëm, deri te pllaja ku dëbora nuk shkrin deri në korrik dhe kreshta që kapin qiellin e shumë detaje piktoreske baritore.

Dimri ofron mundësi të tjera në Korab-Koritnik. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës, Lefter Gjana foli sot për ATSH-në për këto mundësi të turizmit dimëror, ku kryefjala është skijimi.

“Ditët e fundit grupe turistësh vendas, por edhe të huaj të shoqëruar nga guidat lokale kanë vizituar parkun Korab-Koritnik, për të kaluar momente të paharrueshme në dëborën që ka mbuluar këtë park”, u shpreh Gjana.

Sipas tij, i gjithë parku ofron pista natyrore skijimi, ku të gjithë të apasionuarit mund të kalojnë kohën dhe të argëtohen me këtë sport dimëror.

“Zona gjithashtu të ofron edhe mundësi të tjera të ecjes në natyrë, ku bardhësia e borës i ka dhënë zonës këto ditë të ftohta janari pamje mahnitëse”, shtoi ai.

Ky park vitin e kaluar ka shënuar rritje të vizitorëve.

“Nga janari, deri në dhjetor të 2024 parku u vizitua 42 105 turistë, nga të cilët 23 332 vendas dhe 18 773 të huaj”, tha Gjana.

Sipas tij, ndër vendet më të preferuara vijojnë të mbeten Shtegu i Ngjyrave, si dhe shtegu Brekijë-Tërshenë-Shkalla e Keqe.

Jo vetëm mali i Korabit, por i gjithë vargmali e bëjnë parkun një nga më të bukurit në Shqipëri me pamje mahnitëse ku vijat e peizazhit ngjiten dhe zbresin duke vizatuar konturet e një pamjeje të rrallë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme