18 Tetor, 2019 - 1:30 pm
Turistët e shumtë vendas e të huaj gjithnjë e më shumë po shijojnë freskinë dhe bukurinë e zonave të mbrojtura që nga Lugina e Valbonës në veri e deri tek Syri i Kaltër në Sarandë.
Këto zona tashmë janë kthyer në destinacione turistike mjaft të vizituara për shkak të bukurive natyrore dhe relievit të larmishëm, i cili është i përshtatshëm për turistët, që nga ata që duan të shijojnë natyrën, deri tek turistët aventurierë të cilët mund ta eksplorojnë zonën duke bërë hiking nëpër shtigje të ndryshme.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me publikimin e të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura për numrin e vizitorëve nga janari-shtator 2019.
“Më shumë se 916,660 vizitorë në zonat e mbrojtura në janar -shtator 2019, 28% më shumë krahasuar me janar-shtator 2018”, shprehet Rama.
Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.
Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zënë 20% të territorit ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.
Këto vitet e fundit (pas krijimit të Administratave të Zonave të Mbrojtura Mjedisore), tashmë vizitorët (turistët), të cilët janë pjesë e vizitave dhe ecjeve në natyrën shqiptare, kanë në shumicën e rasteve informacionin e duhur për destinacionet e veçanta që duhet të vizitojnë në këto hapësira.
Turisti në çdo rast merr informacionin e detajuar për resurset natyrore të zonës së mbrojtur mjedisore, për vendndodhjen dhe vlerat e larta natyrore, kulturore, historike, biologjike e trashëgimore të tyre si; shpella, ujëvara, kanione, maja shkëmbore, shtigje kalimi, objekte kulti etj, që ka zona e mbrojtur. Rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë punonjësit e AdZM ve (veçanërisht Rengersat) në terren, që orientojnë vizitorët drejt këtyre pikave. Po kështu, në ndihmë të tyre vijnë dhe tabelat e ndryshme informuese e orientuese që janë vendosur në hyrje dhe vende të dallueshme.
Prioritet në këto zona po merr dhe turizmi i vëzhgimit të shpendëve, sidomos i atyre ujorë. Shquhen Laguna e Karavastasë, Nartës, Kune-Vain, Liqeni i Shkodrës, Prespës etj./atsh / KultPlus.com