22 Qershor, 2021 - 9:01 pm
Deputetë e juristë të mediave kanë reaguar ashpër lidhur me fjalorin e përdorur nga zëvendësdrejtori gjeneral i RTK-së, Mentor Shala ndaj deputetes, njëherit kryetares së Komisionit Parlamentar për Media, Doarsa Kica-Xhelili.
Kica-Xhelili në një intervistë rreth katër ditë më parë e kishte përmendur Shalën, si zyrtar të RTK-së, ndërsa ky i fundit përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka thënë se po i duket se Doarsa e ka mendjen vetëm tek ai dhe e ka ftuar për një takim.
Sot, Shala në emisionin ‘Pressing’ në T7 ka folur për herë të parë lidhur me këtë, për të cilën tha se i ka kërkuar falje personalisht, Doarsa Kica-Xhelili.
“Normalisht është pak me ironi, nuk ka të bëjë me seksizëm. Nëse ajo mua nuk më fton në komision dhe flet për mua vazhdimisht, sigurisht që vjen një reagim. Unë nuk mendoj që është reagim seksist. Unë i kam kërkuar falje asaj personalisht. Unë i kërkoj falje nëse ajo është ofendu, por mendoj që ne si persona përgjegjës, është mirë që para se të dalë e të etiketojë nëpër format më të ndryshme, fillimisht t’i verifikojë ato informacione që ka e pastaj të dalë në përfundim”, tha ai.
Por, gjithë këtë, Shala e arsyeton duke thënë se ajo është marrë me shumë të pavërteta, dhe sipas tij, Kica-Xhelili është dashur ta ftojë atë në Komision që të raportojë.
“Mënyra qysh m’u drejtove i bjen që kam bë diçka keq. Unë atë nuk e njoh dhe skom pasur rast me u taku me të asnjëherë. Edhe është një periudhë e gjatë që ajo zhdimisht merret direkt me mua edhe punët e mia në RTKI në të kaluarën. Merret me shumë të pavërteta, pak a shumë i di burimet ka i merr por së paku ajo si kryetare e komisioni që ka të bëjë me RTK, nëse ka ndonjë informacion ish dashur me thirr zv/drejtorin, me thirr në komision dhe me sqaru. Ajo në asnjë rrethanë s’e ka pa të arsyeshme”, tha ai.
Deklarata e Shalës ka marrë reagime edhe nga deputetë si dhe nga jursitja e mediave, Flutra Kusari e cila ka kërkuar që RTK-ja të ndërmarrë menjëherë masa disiplinore.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Sindikata e RTK-së, për të cilën thotë se gjuha e përdorur nga Shala është e turpshme dhe e pamoralshme.
“Gjuha e përdorur nga zv. drejtori Shala është e turpshme dhe e pamoralshme, dhe si e tillë ka shkaktuar indinjatë të thellë edhe në mesin e të punësuarve të RTK-së. Sindikata distancohet nga ky fjalor i gërditshëm dhe primitiv, duke kërkuar që ky person të shkarkohet menjeherë nga të gjitha përgjegjësitë në RTK”, thuhet në reagimin e tyre.
“Normalisht është pak me ironi, nuk ka të bëjë me seksizëm. Nëse ajo mua nuk më fton në komision dhe flet për mua vazhdimisht, sigurisht që vjen një reagim. Unë nuk mendoj që është reagim seksist. Unë i kam kërkuar falje asaj personalisht. Unë i kërkoj falje nëse ajo është ofendu, por mendoj që ne si persona përgjegjës, është mirë që para se të dalë e të etiketojë nëpër format më të ndryshme, fillimisht t’i verifikojë ato informacione që ka e pastaj të dalë në përfundim”, tha ai./ KultPlus.com