22 Prill, 2024 - 8:28 pm
Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muçolli dhe Shyrete Tairi ishin të pranishme në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën, të cilat në këtë mbledhje ishin prezentë me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.
KultPlus merr vesh se edhe pse emrat e grave të lartpërmendura janë regjistruar më herët, ashtu sikur edhe është kërkuar me protokol, pak para fillimit të mbledhjes është tentuar nga administrata e OKB-së që katër gratë nga Kosova mos të lejohen të futen në sallë.
Poashtu KultPlus merr vesh se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte ajo që ka refuzuar të futet në sallë pa prezencën e grave, gra të cilat janë dëshmi e gjallë për vuajtjet dhe tmerret që i kanë përjetuar nga ushtria serbe, pikërisht 25 vjet më parë.
Ndryshe, prezencën e grave në sallën e OKB-së nuk e ka pritur mirë as presidenti i Serbisë, Aleksander Vuciq, i cili ka thënë se për këtë pjesëmarrje ata nuk ishin të paralajmëruar./ KultPlus.com