27 Janar, 2020 - 2:21 pm
Në kuadër të ditës ndërkombëtare të kujtimit të viktimave të Holokaustit, u zhvillua sot në “Universitetin Fan S. Noli” të Korçës forumi “Hebrenjtë në Republikën e Vlerave”.
Eventi, i cili ishte bashkëpunim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Universitetit “Fan S. Noli” dhe Institutit Shqiptar të Sociologjisë, u drejtua nga prof. Irena Nikaj, Presidente e Shoqatës Sociologjike Shqiptare (ALBSA).
ASH u përfaqësua nga Sekretari Shkencor i saj, akademiku Shaban Sinani. Libri i tij, “Albanians and Jews” [Shqiptarët dhe hebrenjtë; Prania dhe shpëtimi] ishte baza mbi të cilin u ideua dhe ndërtua aktiviteti.
Sinani referoi me temën: “Pranimi i hebrenjve në Shqipëri: Periudha mbretërore – 1928-1939”, duke trajtuar shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri përgjatë periudhës së Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore, që prej fillimeve historike të pranisë hebraike në tokën shqiptare e deri në përfundim të luftës.
Referimi, i pasur me dokumente dhe fotografi, ndalet në periudha kyçe si politikat e Mbretit Zog për pranimin e hebrenjve dhe arsyet e kësaj, projektet ndërkombëtare të viteve ’30 si me SHBA apo Lidhjen e Kombeve, ideja e “palestinizimit” të Shqipërisë apo dhe situata në periudhën e pushtimit nazist.
Sinani e përmbylli referimin me disa sugjerime për nisma të mëtejshme, mjaft të rëndësishme për t’u ndërmarrë, siç është përfshirja në programet mësimore e temës së shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri, ndërkombëtarizimi i kësaj problematike, botimi i arkivave të Herman Bernstein (Ambasador i SHBA në Shqipëri), por dhe kryerja e studimeve pasuniversitare në këtë fushë.
Vetëm përmes trajtimit të vazhdueshëm dhe moslënies në harresë, mund të përkujtohen siç duhet viktimat e Holokaustit dhe roli i rëndësishëm që Shqipëria luajti në historinë e shek. XX. / KultPlus.com