27 Tetor, 2020 - 8:05 pm
Me iniciativën Kosova Wildlife Care, në aktivitetin ta pastrojmë Mirushën u mblodhën 80-të thasë me mbeturina.
Në një postim të bërë në faqen e Facebookut të Kosova Wildlife Care janë bashkangjitur disa foto nga mbledhja e mbeturinave me mbishkrimin ‘Kjo është mënyra se si trajtohet një monument natyre me rendësi të veçantë’.
Në një intervistë për KultPlus, kryetari i OJQ-së, ‘Kosova Wildlife Care’, Albert Krasniqi ka thënë se nisma për pastrimin e Parkut Mirusha është bërë si shkak i ngjarjeve që po ndodhin në këtë park.
Ai ka treguar se është organizuar edhe një ecje si formë proteste me moton ‘Mos ma prek Mirushën’. “Kjo nismë në fakt ka të bëjë edhe me pastrimin e Parkut Mirusha po edhe sensibilizimin e qytetarëve rreth ngjarjeve që po ndodhin në Parkun Mirusha. Ne kemi organizuar edhe një ecje protestë me moton “Mos ma prek Mirushen’’ shkaku që në Parkun Mirusha po ndërtohet një shëtitore që bie në kundërshtim të plotë me rregullat e zonave të mbrojtura”, ka potencuar Krasniqi.
Ai ka shtuar se iniciativa është ndërmarrë nga bashkëpunimi i dy shoqatave Kosova Wildlife Care dhe Qytetarët Aktiv. Krasniqi ka folur edhe për tharjen e ujëvarës së Mirushës gjatë stinës së verës. Sipas tij, ekzistojnë dy pika ilegale mbi Ujëvarën Mirusha për të cilat kjo OJQ dyshon se po ndikojnë në humbjen e ujit në këtë ujëvarë gjatë verës. “Gjithashtu janë dy diga ilegale në lumin Mirusha mbi ujëvarë, pa asnjë dokument, as plan paraprak, as qëllimet për çka janë ndërtuar, e ne dyshojmë që njëra digë në komunën e Malishevës po ndikon në humbjen e ujit gjatë stinës së verës ku për dy muaj nuk ka pasur ujë”, ka përfunduar kështu Krasniqi/ KultPlus.com