27 Tetor, 2022 - 1:54 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.
Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.
Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.
Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com