14 Prill, 2025 - 4:29 pm
Bashkëpunimi mes EU4Culture, UNOPS dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit solli laboratorin dyditor: “Laborator për Guida Kulturore të Aksesueshme”, ku udhërrëfyes të turizmit kulturor dhe muzeve u trajnuan për të krijuar përvoja gjithëpërfshirëse për vizitorë të verbër dhe me shikim të kufizuar.
Trajnimi unik u udhëhoq nga një eksperte britanike e përshkrimit audio, e vlerësuar me çmime të shumta, Anne Hornsby. Ajo është themeluese e “Mind’s Eye” në vitin 1992 dhe lidere në sektorin e aksesibilitetit të teatrit, baletit, operës, filmit, galerive dhe muzeve.
Duke bashkuar ekspertizën ndërkombëtarisht të njohur të Anne në përshkrimin audio dhe aksesueshmërinë, me njohuritë e specializuara mbi trashëgiminë kulturore, pjesëmarrësit mësuan të krijojnë narrativa tërheqëse dhe të aksesueshme si për ture në site të hapura, ashtu edhe në mjedise të brendshme. Tashmë 10 udhërrëfyes kulturorë janë gati të ofrojnë ture të veçanta e të specializuara, të aftë për të punuar si në institucionet publike, ashtu edhe në sektorin privat, duke siguruar që trashëgimia e pasur kulturore e Tiranës të jetë vërtet e hapur për të gjithë.
Nën udhëheqjen e Anne Hornsby, pjesëmarrësit në trajnim punuan me video reale dhe ushtrime praktike për të mësuar si të përkthejnë imazhin në përshkrim të qartë, të saktë dhe plot imagjinatë, për t’i bërë imazhet të dëgjueshme e të prekshme./atsh/KultPlus.com