17 Janar, 2022 - 10:30 pm
Hulumtimet tregojnë se varianti Omikron i koronavirusit përhapet më shpejt se ata paraprak dhe ekspertët kanë paralajmëruar për mutacione të tjera të virusit.
Ndërsa infeksionet me Omicron po rriten në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden premtoi se administrata e tij do të blejë një miliard teste COVID-19 dhe do të vërë në dispozicion, falas për amerikanët, “maska me cilësi të lartë”.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, së fundi lëshuan udhëzime të reja për maskat që duhen përdorur ndaj COVID-19. N95, konsiderohet si maska më e mirë për mbrojtjen kundër infeksionit.
“Qëllimi i vaksinave është t’u shpëtojë jetën dhe t’u mbajë larg spitalit. Nga kjo pikëpamje, vaksinat funksionojnë dhe funksionojnë mirë. Tani, do të dëgjoni raste që janë të lehta ose pa simptoma, njerëz që rezultojnë pozitiv pavarësisht se janë vaksinuar ose kanë marrë dozën përforcuese. Por kini parasysh se ajo që shpesh parandalohet është një infeksion më i rëndë”, thotë Kirurgu i Përgjithshëm Vivek Murthy.
Vivek Murthy shtoi se të dhënat tregojnë një efikasitet të lartë të vaksinës, pavarësisht nga një shans afërsisht 20 për qind për infeksion tek ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe kanë marrë një dozë përforcuese.
Administrata Biden është përballur me kritika për mungesën e maskave dhe testeve të mjaftueshme ndërsa varianti Omicron përhapet në të gjithë vendin.
“Kur mbërriti Omicroni, krijoi një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës. Kjo është arsyeja pse SHBA, Britania e Madhe dhe vendet e tjera e gjetën veten pa testime të mjaftueshme. Por situata po përmirësohet”, thotë Vivek Murthy.
Dr. Murthy thotë se midis dhjetorit dhe janarit administrata pa një rritje tetëfish të testimit. Kritikët thonë se kjo thjesht nuk mjafton.
“Ne kemi porositur shumë pak komplete testimi, kështu që kapaciteti ynë ka vazhduar të mbetet pas në çdo valë infeksioni. Është pak vonë, por vlen të kihet parasysh për valën e ardhshme. Ne kemi porositur shumë pak testime dhe shumë pak trajtime dhe nuk kemi ende një plan global të shpërndarjes për vaksinat, kështu që ka shumë punë për të bërë”, thotë Tom Bossert, ish Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.
Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Tom Bossert, shton se amerikanët e lodhur nga pandemia duhet të qëndrojnë vigjilentë.
“Amerikanët që janë të irrituar dhe të pashpresë, mendoj se duhet të kuptojnë se duhet njëfarë rigoroziteti në distancimin shoqëror, sepse shtretërit në spitale – dhe më e rëndësishmja, shtretërit në dhomat e emergjencës – po mbushen dhe në disa shtete janë tërësisht plot”, thotë Tom Bossert.
Organizata Botërore e Shëndetësisë raportoi së fundmi 15 milionë raste të reja me COVID-19 në një javë, një rritje prej 55 për qind nga shifrat e mëparshme. Vetëm Shtetet e Bashkuara patën afro 800,000 infeksione të reja çdo ditë.
CDC-ja ende nuk ka rekomanduar përdorimin mbarëkombëtar të maskës N95, por gazeta Washington Post raporton se agjencia po shqyrton udhëzime të reja./ VOA / KultPlus.com