11 Korrik, 2021 - 10:28 pm
Agjencia amerikane ka rekomanduar që nxënësit të rrinë të paktën 2 metra larg njëri-tjetrit. Por, e ka bërë të qartë që shkollat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta mundësuar distancën sociale, përcjell KultPlus.
Udhëzimet për distancë, maska dhe vaksinim nga Agjencia e çojnë vëmendjen te viti i ri shkollor.
Pas një muaji do të nisë viti shkollor në shumë shkolla dhe qendrat për parandalim dhe kontrollim të sëmundjeve të premten i kanë publikuar udhëzimet e reja për ta parandaluar përhapjen e COVID-19 në shkolla.
Udhëzimet listojnë disa strategji që shkollat duhet t’i zbatojnë për ta ruajtur sigurinë në shkolla, përfshirë bartjen e maskave, testet javore dhe distancën sociale. Mirëpo, Agjencia ka theksuar se shkollat duhet të rihapen medoemos, edhe nëse nuk i plotësojnë të gjitha kriteret.
Më poshtë janë disa prej pyetjeve më të shpeshta për udhëzimet e reja.
A mund t’i ndjekë fëmija im mësimet me orar të plotë?
Pothuajse po. Rekomandimet e reja sqarojnë se rihapja e shkollave është një përparësi dhe që shkollat nuk duhet të mbesin të mbyllura vetëm sepse nuk mund t’i zbatojnë të gjitha masat e rekomanduara.
Shumë familje kanë pasur ditë të vështira me mësimin online. Sipas studimeve, pandemia ka thelluar pabarazitë në arsim, pasi nxënësit afrikano-amerikanë kanë mbetur më prapa krahasuar me ata të racës së bardhë.
A do të duhet të bartin maska?
Varet. Sipas udhëzimeve, rekomandohet që fëmijët mbi 2 vjeç që nuk janë të vaksinuar duhet të bartin maska në ambiente të mbyllura, por thekson se nxënësit e vaksinuar nuk kanë nevojë të bartin maska në klasë.
Si t’ia bëjmë me distancën sociale?
Agjencia ka rekomanduar që nxënësit të rrinë të paktën 2 metra larg nga njëri-tjetrit. Por, e ka bërë të qartë që shkollat duhet të kenë hapësirë të mjaftueshme për ta mundësuar distancën sociale. Po qe se u mungon, duhet t’i zbatojnë masa shtesë, si maskat dhe ventilimi. Distanca duhet të zbatohet edhe me stafin dhe mësuesit e pavaksinuar.
A do të mund të vaksinohen edhe fëmijët?
Aktualisht, vetëm fëmijët mbi 12 vjeç kanë të drejtë vaksine, gjë që ndikon që një pjesë e madhe e popullsisë të jetë e pambrojtur.
“Rregulli për vaksinë është gjithmonë betejë politike”, ka thënë Dorit Reiss, profesoreshë në Universitetin e Kalifornisë, e cila ka thënë se shtetet duhet të bëjnë çmos derisa vaksinat të jenë në dispozicion për të gjithë nxënësit pa dallim moshe. Por, Shtetet e Bashkuara kanë histori të gjatë të kërkesave që nxënësit të vaksinohen për sëmundje të caktuara – nga poliomieliti deri te fruthi – dhe ekspertët besojnë se COVID-19 ka të ngjarë t’i bashkohet kësaj liste dikur.
Mirëpo, është e mundur që shkollat të mund të pyesin për statusin e nxënësve më të mëdhenj në moshë që kanë të drejtë për ta marrë vaksinën. Për shembull, shkollat publike të Chicagos kanë thënë se planifikojnë t’u kërkojnë familjeve t’i paraqesin informatat për vaksinën kundër COVID-19.
Sa për mësuesit, punëdhënësit zakonisht kanë të drejtë të pyesin për statusin e imunizimit dhe madje kërkojnë vaksinim për punonjësit, kanë thënë ekspertët, megjithëse kjo gjë nëpër shkolla mund të ndërlikohet nga sindikatat e mësuesve.
Sipas udhëzimeve, shkollat mund të ofrojnë “përgjegjësi të modifikuara të punës” për mësuesit ose anëtarët e stafit që nuk janë vaksinuar plotësisht dhe që janë në rrezik më të lartë për COVID-19.
Kur mund të vaksinohen nxënësit e shkollave fillore?
Ndoshta në vjeshtë. Kompania “Pfizer” ka thënë se planifikon ta miratojë autorizimin emergjent për vaksinën e saj për fëmijët e moshës nga 5 deri 11 vjeç.
“Moderna” ka thënë se rezultatet nga studimi klinik me fëmijë pritet të dalin nga fundi i vitit. Kompania muajin e kaluar e ka miratuar autorizimin për përdorim të vaksinës së saj te 12 deri 17-vjeçarët.
Çfarë masash të tjera rekomandon Agjencia?
Agjencia rekomandon atë që e quan qasje “të shtresuar”, duke sugjeruar që shkollat të kombinojnë strategji të shumta zbutëse për ta zvogëluar rrezikun. (Ky gjithashtu është quajtur “modeli zviceran i djathit”.) Përveç maskave, distancës dhe vaksinimit, shkollat mund ta zbatojnë testimin e rregullt për koronavirus. Nxënësit dhe anëtarët e stafit që janë vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë të testohen ose të karantinohen, nëse kanë qenë në kontakt me dikë me COVID-19, vetëm nëse kanë simptoma. Kështu kanë bërë të ditur udhëzimet e reja. / KultPlus.com