20 Gusht, 2023 - 4:45 pm
Ujëvara e Sotirës në Gramsh, është një prej atraksioneve natyrore më të vizituara gjatë këtij sezoni veror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kjo ujëvarë e pozicionuar në shpatin lindor të malit të Tomorrit.
Ujëvara e Sotirës konsiderohet si një nga ujëvarat më të bukura të vendit tonë. Veçantia e saj qëndron në faktin se përbëhet nga tre burime që depërtojnë malin nga lartësi të ndryshme (20-100 m), duke krijuar pamje mbresëlënëse. Uji që bie prej saj më pas formon lumin me të njëjtin emër.
Kjo zonë ofron edhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve si kamping apo piknik në pjesën e lëndinës mbi ujëvarë.
Ujëvara e Sotirës gjendet jo më shumë se 20 km larg qytetit të Gramshit.
Për shumë kohë, ky destinacion turistik, nuk ishte në itinerarin e turistëve vendas apo të huaj.
Ndërkohë që, vitet e fundit, interesi ka ardhur gjithnjë në rritje edhe nga përtej kufirit. Zakonisht fundjavave, agjencitë turistike organizojnë ekskursione drejt Ujëvarës së Sotirës. /KultPlus.com