21 Qershor, 2021 - 6:58 pm
Dhoma e Biznesit e Diasporës Shqiptare në partneritet me Shoqatën e Kultivuesve Italianë (AIC) organizoi këtë fundjavë vizitën në terren të ekspertit Arbëresh në kultivimin dhe prodhimin e vajit të ullirit Salvatore Armentano.
Vizita e z. Armentano me qëllim trajnimin dhe këshillimin e kultivuesve vendas u zhvilluan në kuadër të zbatimit Projekti “Angazhimi i Diasporës në transferimin e njohurive bujqësore në Shqipëri”, i financuar nga IOM me mbështetjen e AICS.
Salvatore Armentano vizitoi dy subjekte shqiptare të prodhimit të vajit të ullirit, “Subashi Olive Oil” në Marikaj të Tiranës dhe “Musa Olive Oil” në Skroftinë të Vlorës ku u njoh nga afër plantacionet e pemëve të ullirit, terrenin, teknologjinë e aplikuar në përpunim dhe kushtet e ruajtjes dhe tregtimit. Z. Armentano dhe prodhuesit shqiptarë që e shoqëruan shkëmbyen praktikat më të mira dhe teknikat e prodhimit të vajit të ullirit, përdorimin e pesticideve biologjike, metodat e krasitjes së pemëve, mjetet për korrjen e frutave të ullirit, rëndësinë e çertifikimit për eksport, teknikat novatore të marketingut si edhe rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së pemëve të ullirit etj./ KultPlus.com