9 Dhjetor, 2019 - 3:24 pm
Qendrim Badalli
Një lule anemone ka qenë simboli që gratë dhe pothuajse të gjithë të pranishmit i kishin vendosur në bluzat e tyre. Aktorë të përzgjedhur, dolën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku nën lotë rrëfyen përjetime të ndryshme të grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë, rrëfime këto të përmbledhura në librin “Unë jam Anemone”, libër ky në bashkë-autorësi nga organizata Medical Gjakova dhe Salie Gajtani Osmankaq, shkruan KultPlus.com
Aktiviteti i mbajtur sot po përcillej nga një publik mjaftë i ri në moshë si dhe nga një numër shumë i madh i grave dhe vajzave në sallë që kishin ardhur për të dëgjuar rrëfimet tronditëse, rrëfime këto që u dhanë nën një heshtje të plotë, e që shoqëroheshin me shumë keqardhje të shprehur haptas në fytyrën e secilit, dhe me shumë emocione nga Rebeka Qena, Ylber Bardhi, Edona Reshitaj, Anisa Ismaili, Albulena Kryeziu si dhe Shengyl Ismaili.
Pasi përfunduan rrëfimet, aktiviteti vazhdoi tutje me një panel diskutimi ku të ftuara ishin: Drejtoresha e Organizatës ‘Medical Gjakova’ – Mirlinda Sada, sociologia – Linda Gusia si dhe psikologja – Xhevahire Balaj, panel ky që edhe më shumë kuptimësoi këtë aktivitet.
Drejtoresha e organizatës, “Medicla Gjakova”, Mirlinda Sada, ka folur për arsyen se përse këtij libri i është vendosur ky titull.
“Anemone është një lule, që ne të gjithë sot e kemi të vendosur, është një lule e cila është ideuar nga regjisorja e ndjerë, Arzana Kraja dhe me të cilën simbolizojmë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”.
Tutje, Sada ka rrëfyer metaforën që bartë kjo lule në raport me gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë si dhe raportin e tyre me të tjerët.
“Karakteristikat e lules Anemone është që kur asaj i afrohet ndonjë shtrëngatë atëherë kjo lule mbyll fletët dhe mbron vetveten por në momentin kur Anemones i vjen freski i pranverës, një erë e lehtë, atëherë ajo i hap petalet dhe lulëzon”.
Sociologia, Linda Gusia ka thënë se pavarësisht se bashkëndjenja me të mbijetuarat si hap i parë është arritur, tani duhet kaluar në hapin e dytë, atë të dokumentimit.
“Mendoj se heshtja rreth kësaj çështjeje deri diku është thyer falë punës së palodhshme të shumë grave që janë këtu prezente dhe punës suaj poashtu, por mendoj se krijimi i bashkëndjenjës dhe luftimi i stigmës ka qenë hapi i parë, por hapi tjetër që libri e bënë shumë mirë, është dokumentimi i asaj çfarë ka ndodhur”.
Ajo ka thënë se dhuna seksuale është përdorur si “strategji lufte”.
“Dokumentimi i rrëfimit është shumë i rëndësishëm sepse na bënë të vetëdijshëm se dhuna seksuale ka qenë një strategji lufte”.
Psikologia, Xhevahire Balaj ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për këtë punë të realizuar.
“Më lejoni t’i falënderoj të gjitha të mbijetuarat dhe të mbijetuarit që i kanë ndarë me neve rrëfimet e tyre. Tek ne çdo gjë trajtohet në baza kofidenciale, brenda katër mureve dhe për këtë zonja Sada dua ti jap falënderimit më të sinqerta juve dhe ekipit tuaj”.
Teksa, Balaj ka theksuar traumën si elementin kryesor që ky libër na ndihmon ta kuptojmë.
“Libri prek shumë dimensione. Për mua dimensioni i parë është dimensioni i traumës, përmes këtij libri kuptohet se çfarë dimensioni i madh traumatik është dhuna seksuale”.
Në njërin nga rrëfimet e dhëna aty, rrëfehet momenti kur fillimisht ndalet dhe më pas dhunohet nga forcat serbe një 20 vjeçare.
“U nisëm rrugës, unë kam qenë 20 vjeçare, motra e dytë 15, kurse e treta 10 vite. Motra e dytë dikur u lodh dhe tha unë nuk po mundem me vazhdu, unë me motrën tjetër vazhdum me ecë rrugës dhe për një moment e dëgjova motrën kur tha kuku na panë, për një moment u ndala edhe nuk kam ditë çka me vepru edhe i pamë ata serbët dhe u vërsulën drejt nesh. Filluan me mi heq rrobat prej trupit, dhe fillun me më ba gjithçka që imagjinata e tyre ju thojke për të keq. Motrën e kisha aty edhe ishte dëshmitare e krejt asaj çka më ndodhi mu, dikur ajo filloi me bërtit, bërtiti aq shumë sa fillun mu dëgju të shtëna armësh”.
Se rrëfimi nuk i ka prekur vetëm gratë në Kosovë por edhe burrat, aty ishte aktori Ylber Bardhi, i cili shpalosi rrëfimin e një të dhunuari të Kosovës.
“Njëri ka qenë i gjatë dhe njëri ka qenë pak më i shkurtër, më i shëndosh, ia u njoh mirë fytyrat. Më kanë detyru me ecë, kam ecë deri tek njëfarë shtëpie ku më kanë thanë me u zhvesh. Kur më thanë me u zhvesh na kishim dëgju që kur i zhveshin i masakrojnë dhe ashtu mendova, gjithçka që në ato momente mendoja ishte me i pa të shpisë, me i pa fëmijët, me e pa grun. Një polic e morri një shishe dhe më ka detyru me u zhvesh, unë refuzova por ata me tyta të automatit më kanë detyru me u zhvesh pastaj kanë fillu me më pre dhe pasi më kanë shtri me dhunë kanë fillu me më dhunu”.
Pas përfundimit të debatit nga paneli aty, pjesëmarrësit kanë pasur mundësi ta marrin falas librin “Unë jam Anemone”, libër ky që ballafaqon Kosovën me të kaluarën e saj si dhe që shtjellon një plagë aq të rëndë të vendit si ajo e të dhunuarve gjatë luftës nga regjimi kriminal i Serbisë. / KultPlus.com