14 Mars, 2022 - 9:15 pm
Stephen Hawking ishte shumë më tepër se një fizikan teorik me një film fitues të çmimit Oscar dedikuar për të. Ai ka dhënë kontribute të çmuara jo vetëm për botën e shkencës, por edhe për vetë jetën për të gjithë ata që donin të mësonin diçka prej tij.
Përgjatë karrierës së tij, Hawking na ka ndihmuar të kuptojmë më mirë planetin, dhe në të njëjtën kohë, edhe veten tonë. Këto janë disa mendime që ai i ka ndarë me të gjithë dhe që kanë pasur një ndikim të madh tek unë. Ndoshta do të ndikojnë po aq fuqishëm edhe tek ty.
“Unë jam thjesht një fëmijë që nuk është rritur kurrë. Unë ende vazhdoj të pyes pyetje të tipit “si” apo “pse”. Ndonjëherë gjej përgjigje e ndonjëherë jo”.
Hawking na kujton se duhet të qëndrojmë po aq kuriozë sa ishim, kur ishim fëmijë. Ai na tregon se si të jemi guximtarë. Jo çdo gjë është e mundur dhe përgjatë gjithë pamundësive, ne mund të marrim përgjigje thjesht duke bërë pyetje. Ndonjëherë mund të mos marrim përgjigjen që duam, ose të mos marrim fare përgjigje, por kjo gjë nuk duhet të na pengojë që të mos bëjmë pyetje. Vetë jeta është një pikëpyetje e madhe, për të cilën asnjëherë nuk do të ndalesh së i pyeturi të tjerët dhe veten për të marrë përgjigje.
“Nëse do të duhet të zgjidhja të isha një superhero, do të zgjidhja Supermenin. Ai është gjithçka që unë nuk jam”.
Hawking, në mesin e më të suksesshmëve dhe më të zgjuarve në botë, sërish ka ëndrra si çdokush tjetër. Dëshira e tij për të bërë gjëra që nuk i ka bërë më aprë, apo për të qenë si dikush tjetër, e bën atë njësoj si të gjithë ne. Ne të gjithë jemi njerëz në fund të fundit, dhe si njerëz ne mund të bëjmë aq sa na lejojnë mendja dhe trupi ynë.
Hawking mund të mos kishte superfuqi për të fluturuar si Supermeni (ai vuante nga sëmundja e Lou Gehrig, ose e njohur ndryshe si ALS – skleroza amniotrofike laterale), por ai kishte një inteligjencë shumë më të madhe se çdo personazh superhero nëpër libra apo filma.
Ai arriti të tejkalonte barrierat dhe të mahniste botën me zbulimet e tij. Çdokush në gjendjen e tij do të ishte ndalur, nuk do të donte më të jetonte, por Hawking na tregon se njerëzimi i gjithë ka të bëjë me ëndrrat dhe synimet që i vendos vetes dhe për të cilat punon fort t’i arrish.
“E shkuara, ashtu si e ardhmja, është e pafundme dhe ekziston si një pasqyrë mundësish”.
Nga ky përfundim i shkencëtarit, unë arrij të kuptoj edhe një herë rëndësinë e të jetuarit në të tashmen. Ndërsa jetojmë ditë pas dite, ne vihemi përballë një numri të madh mundësish. Ne kemi fuqinë të bëjmë gjëra të mëdha, por të cilat mund t’i arrijmë në të tashmen.
Ne mund të shohim nga e shkuara duke menduar për mundësitë që na janë ofruar dhe të mendojmë për mundësitë që mund të na ofrohen në të ardhmen. Në këtë moment na është falur e tashmja dhe është detyrë e jona ta shfrytëzojmë në mënyrën e duhur”.
“Cilësia që dua të veçoj, është empatia. Ajo na mbledh së bashku dhe na jep një ndjesi më të paqtë, më të dashur”.
Hawking ka thënë: “Cilësia më e keqe e njeriut, të cilën do doja ta ndryshoja, është agresiviteti”. Ai vuri në dukje se agresioni ka qenë një cilësi që i lejonte njerëzit të mbijetonin në ditët e urisë, por që tashmë është një dëm për njerëzimin. Që në vitin 2015, ai ka mbështetur gjithmonë e më tepër rëndësinë e empatisë.
Shkencëtari ka shpjeguar se vetëm empatia mund ta luftojë siç duhet agresivitetin. Koncepti i empatisë është duket tepër i thjeshtë, por sërish mbetet një cilësi, për të cilën vënia në zbatim has tepër vështirësi. Empatia është ndjesia e mirëkuptimit dhe aftësisë për të ndarë me të tjerët eksperiencat dhe emocionet. Vetëm duke u vënë në praktikë, ajo mund të na çojë në ndryshime të mëdha dhe pozitive. /filozofia.al/ KultPlus.com