3 Maj, 2024 - 10:51 am
Gazetarët palestinezë që mbulojnë luftën në Gaza janë shpërblyer me çmimin për ‘’Lirinë e Shtypit’’, ka njoftuar UNESCO, organi kulturor dhe shkencor i Kombeve të Bashkuara.
Gazetarët morën ‘’Çmimin Botëror të Lirisë së Shtypit’’ të UNESCO-s 2024 në Kili, dje në mbrëmje.
“Në këto kohë errësire dhe dëshpërimi, ne dëshirojmë të ndajmë një mesazh të fortë solidariteti dhe njohjeje për ata gazetarë palestinezë që po mbulojnë këtë krizë në rrethana kaq dramatike”, tha presidenti i jurisë, Mauricio Weibel.
“Si njerëzim, ne i detyrohemi një borxh të madh guximit dhe angazhimit të tyre ndaj lirisë së shprehjes”, shtoi ai.
Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, tha se ‘’çmimi nderonte guximin e gazetarëve në rrethana të vështira dhe të rrezikshme’’.
“Përsëri këtë vit, çmimi na kujton rëndësinë e veprimit kolektiv për të siguruar që gazetarët në mbarë botën të mund të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre thelbësore të raportimit dhe hetimit”, theksoi ajo.
Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me bazë në Nju Jork, të paktën 97 gazetarë dhe punonjës të medias janë në mesin e më shumë se 35 000 të vrarëve që nga fillimi i luftës më 7 tetor./KultPlus.com