18 Shkurt, 2021 - 6:34 pm
Fushata kombëtare “Të Besoj” e UNICEF-it në Shqipëri ka nisur sot edhe në qytetin e Fierit.
Instalacioni prej rreth 50 silueta fëmijësh, secila me një histori reale të abuzimit seksual është vendosur pranë parkut të qytetit dhe do të qëndrojë aty për dy javët në vazhdim.
Aktiviteti u përshëndet nga nënkryetarja e bashkisë, Enkelejda Peshkëpia, e cila ritheksoi angazhimin e Bashkisë Fier në lidhje me adresimin ndaj këtij fenomeni.
“Të gjithë bashkë duhet të bëhemi një zë dhe krah njëri-tjetrit për t’i thënë stop këtij krimi të shëmtuar që lë gjurmë në mbarë shoqërinë globale. Interesi më i lartë i fëmijës është parimi që na udhëheq në punën tonë të përditshme, me qëllim fuqizimin dhe ngritjen e strukturave të reja në ndihmë të identifikimit, referimit dhe parandalimit të rasteve të fëmijëve jo vetëm viktima të dhunës seksuale, por të të gjitha formave të tjera të dhunës”, u shpreh ajo.
Ndërkohë zv.përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Edina Kozma, u shpreh mbi rëndësinë e kësaj nisme. “Nëpërmjet kësaj fushatë ne duam t’i japim fund heshtjes rreth abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve të cilët presin përgjigje nga ne. Të gjitha historitë janë reale dhe i kanë ndodhur fëmijëve në Shqipëri, ndaj dhe ne kemi vetëm një mesazh të qartë për të gjithë – Na besoni, dhe na ndihmoni t’i japim fund dhunës”, tha ajo.
“Të Besoj” është një instalacion publik nga UNICEF Shqipëri, i cili pasqyron siluetat e disa fëmijëve të abuzuar seksualisht, ku secila prej tyre tregon një histori të vërtetë të ndodhur në Shqipëri.
Pas çdo siluete fshihet historia e një fëmije të vërtetë, një personi të vërtetë, i cili ende vuan pasojat e abuzimeve që ka përjetuar. Historitë nuk përmbajnë emra të fëmijëve apo ndonjë informacion tjetër që mund të çojë në identifikimin e tyre. /ata/ KultPlus.com