17 Maj, 2021 - 4:59 pm
UNICEF ka reaguar pas raportimeve për abuzimin seksual me një të mitur në mjediset e një shkolle në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Në një njoftim të bërë nga UNICEF është theksuar se një abuzim i tillë është i papranueshëm dhe një shkelje e rëndë e të drejtave themelore të fëmijëve.
Tutje ata kanë bërë thirrje për tolerancë zero ndaj ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale, si dhe kanë udhëzuar mediat që të mos raportojnë identitetet e fëmijëve dhe familjeve të tyre.
Njoftimi i plotë:
Edhe një rast i vetëm është tepër: çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur në çdo kohë
UNICEF-i është thellësisht i brengosur për rastin e fundit të abuzimit të fëmijës që raportohet të ketë ndodhur në mjediset shkollore në Kosovë. Një abuzim i tillë ndaj një fëmije është i papranueshëm dhe përbën një shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijëve, ku të gjithë fëmijët duhet të ndjehen të sigurt dhe të mbrojtur në çdo mjedis, përfshirë këtu edhe në shkolla, të cilat duhet të jenë të lira nga dhuna dhe abuzimi.
Sipas Konventës së të Drejtave të Fëmijës, çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur. Për më tepër, të gjitha institucionet, siç përcaktohet në Ligjin e Kosovës për Mbrojtjen e Fëmijës, duhet të marrin të gjitha masat e duhura legjislative, administrative, sociale dhe arsimore për të mbrojtur një fëmijë nga të gjitha format e dhunës fizike ose psikike, verbale, abuzimi, keqtrajtimi, shfrytëzimi, ndëshkimi trupor, neglizhenca, ose ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës.
Për sa i përket arsimimit, ligji specifikon që një fëmijë do të mbrohet nga dhuna e ushtruar nga personeli arsimor, bashkëmoshatarët e tyre dhe çdo person tjetër, brenda sistemit arsimor (neni 37). Ruajtja e një fëmije është përgjegjësi e të gjithëve, përfshirë ata që punojnë në shkolla dhe mjedise arsimore që janë veçanërisht në pozitë të duhur për të identifikuar dhe parandaluar abuzimin.
Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili u miratua nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2019 përfaqësoi një arritje të rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve duke vendosur bazën ligjore për garantimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga të gjitha format e dhunës fizike dhe psikike, abuzimi, shfrytëzimi, neglizhenca ose ndonjë formë tjetër që rrezikon jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e tyre. Megjithatë, sipas të dhënave të Anketave të Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2020, një pjesë e madhe e fëmijëve (72 përqind) në Kosovë raportohet të kenë përjetuar ndonjë lloj të dhunes. Në përgjithësi, 30 përqind e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë përjetuar ndëshkim fizik dhe në mesin e tyre gjashtë përqind kanë përjetuar ndëshkim të rëndë fizik.
UNICEF-i bën thirrje për tolerancë zero ndaj ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale. Për më tepër, të gjithë fëmijët duhet të kenë të drejtën të gëzojnë të drejtën për shkollim, të ndjekin mësimet e tyre dhe të mësojnë pa frikë dhe dhunë dhe të shoqërohen me moshatarët e tyre duke u ndjerë të sigurt dhe të mbrojtur. Ne kërkojmë nga të gjitha institucionet që të avancojnë dhe zbatojnë Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës si një mjet për të ndihmuar të gjitha vajzat dhe djemtë në Kosovë të gëzojnë të drejtën e tyre për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe jo të dhunshëm.
Ne gjithashtu u bëjmë thirrje mediave që të mos raportojnë identitetet e fëmijëve dhe familjeve të tyre. Informimi dhe komunikimi publik duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale, abuzimit dhe çdo lloj ngacmimi dhe të ndihmojë në mbrojtjen e fëmijëve.
UNICEF-i do të vazhdojë të mbështesë punën e institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile, familjeve, fëmijëve dhe të rinjve për të promovuar një mjedis të sigurt për të gjithë fëmijët, për të jetuar të sigurt dhe për të qenë të mbrojtur nga çdo lloj abuzimi dhe ngacmimi./ KultPlus.com