18 Korrik, 2022 - 7:30 pm
Në rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” u nënshkrua sot marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UP-së dhe Komunës së Gjakovës.
Marrëveshja u nënshkrua nga prijësit e të dyja institucioneve, rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.
Në fjalën e tij, rektori Sahiti tha se ky është memorandumi i tretë që UP-ja po e arrin me komunat e Kosovës dhe se përmes marrëveshjeve të nënshkruara së fundmi, institucioni që ai udhëheq po punon edhe më tej për avancimin tutje të veprimtarive shërbyese ndaj komunitetit.
“Kemi studentë nga Gjakova, të cilët është e rëndësishme të kryejnë praktika nëpër institucione të ndryshme, dhe ndërkohë edhe ju si komunë, por edhe studentët, do të përfitojnë nga ky partneritet. Mirëpo, interesi i këtij bashkëpunimi do të jetë edhe në kryerjen e analizave të ndryshme, studimeve apo dokumenteve, të cilat mund të shërbejë si ekspertizë për të dyja institucionet”, ka deklaruar rektori.
Këtë memorandum e mirëpriti edhe kryetari Gjini, teksa theksoi se e vlerëson lart profesionalizmin e UP-së.
“Jemi shumë të lumtur që po e firmosim një bashkëpunim të tillë me Universitetin e Prishtinës, sepse jam i bindur se implementimi i kësaj marrëveshjeje do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit dhe ngritjen e performancës për të dyja palët nënshkruese”, tha Gjini.
Ujdia e arritur parasheh hartimin dhe zbatimin e përbashkët të projekteve, organizimin e forumeve profesionale në fushat relevante për palët, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore. / KultPlus.com